Transmetuar më 14-09-2017, 12:37

Ashtu siç deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama dhe stafi i Kryeministrisë dhuruan mesditën e sotme gjak.

Tradita e dhurimit vullnetar të gjakut vijoi në mjediset e Kryeministrisë, ku për të katërtin vit radhazi, stafi i institucionit dhuroi gjak për fëmijët në nevojë për të.

Dhurues i rregullt i gjakut prej 17 vitesh, Kryeministri Edi Rama apeloi sot, edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, si prind, si qytetar e më pas si kryeministër, për organizimin e një seance të dhurimit të gjakut nga deputetët, si akt sensibilizues për shpëtimin e jetës.

“Do të kërkoja angazhimin e gjithkujt prej jush. Besoj që çdo prind këtu do ta kuptojë këtë që do të them. Ne, në kryeministri kemi bërë çdo vit dhurimin e gjakut”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha ndër të tjera se, “Është realisht një situatë e vështirë për fëmijët që kërkojnë gjak. Siç kanë treguar edhe vitet e tjera, kur ka një lloj aktiviteti sensibilizues dhe ka një rritje të dhurimit, kështu që i kam kërkuar kryetarit të grupit që të organizojë një seancë dhurimi gjaku edhe të deputetëve.”

Ndërkohë, kreu i qeverisë shtoi me humor se ky kontribut jetik i shërben edhe imazhit të vetë deputetit: “Balancon atë idenë se ne vetëm “pimë gjak” dhe krijon një ide që ne edhe mund të japim gjak. Ne do ta bëjmë në Kryeministri këtë gjë dhe duke parë duke parë sa gjak mungon, do t’i marrim sa duhet çdo ministri për të plotësuar detyrimet e PS ndaj institucionit të dhurimit të gjakut.”​ /a.y/noa.al