Transmetuar më 14-09-2017, 12:55
Publicitet

Vetëm një ditë pas betimit para Presidentit Ilir Meta, ministrat e rinj kanë nisur zyrtarisht detyrën.

Ka qenë pasuesja e Mimi Kodhelit, ministrja e re Mbrojtjes Olta Xhaçka, ajo e cila ditën e sotme ka nisur takimet zyrtare.

Ajo priti sot në një takim zyrtar shefin e Shtabit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, gjeneral Sir Stuart William Peach dhe delegacionin që e shoqëronte.

Xhaçka i shprehu mirëseardhjen gjeneral Peach, i cili nga ana tjetër e uroi ministren për marrjen e detyrës së re.

Ministrja Xhaçka e falënderoi gjeneral Peach për mbështetjen dhe bashkëpunimin që vendi i tij ka dhënë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, veçanërisht sa i përket stërvitjeve të përbashkëta në vendin tonë, duke filluar me “Albanian Lion”, “Joint Effort,” e deri tek stërvitja e fundit që po zhvillohet aktualisht, “Ex Ushtar Eagle 17”.

Pjesë e bisedës ishte edhe mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Forcat tona të Armatosura në fushën e arsimimit dhe mundësia rritjes së këtij bashkëpunimi.

Ministrja Xhaçka shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare dhe Forcave tona të Armatosura për sa i përket angazhimit të Aleancës në rritjen e kapaciteteve të parandalimit si dhe të mbrojtjes së kufijve të NATO-s.

Më herët gjeneral Sir Stuart William Peach u prit me truprojë nderi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku.

Vizita e shefit të Shtabit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, gjeneral Sir Stuart William Peach në vendin tonë vjen në kuadër të stërvitjes së përbashkët të Forcave të Armatosura shqiptare dhe atyre britanike “Ex Ushtar Eagle 17” dhe takimit të shefave të Shtabeve të vendeve anëtare të NATO-s, i cili do të zhvillohet në Tiranë në datat 15-16-17 shtator 2017.

Loading...