Transmetuar më 15-09-2017, 21:35

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare në një intervistë ekskluzive për gazetaren Eni Vasili rrëfen momente të veçanta nga jeta e tij. Në emisionin “Studio e Hapur”, Kadare flet për herë të parë përpara kamerave për letrën e tij drejtuar Enver Hoxhës dhe kërkesën e tij për hapjen e dosjeve.

Kadare thotë se kjo ishte letra e vetme që i ka shkruar Enver Hoxhës. Sakaq, ai ka komentuar edhe polemikat me Fatos Lubonjën.

Pjese nga intervista

Botimi i librit të Dashnor Kaloçit “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, nga botuesi Çili, ju ka përfshirë në një polemikë me analistin Fatos Lubonja. Po kështu do të doja të flisja edhe për një botim të ri ditët e fundit nga gazeta Mapo që ka të bëjë me një dokument të dëshmisë së Lubonjës në lidhje me polemikën ku jeni përfshirë ju. Përpara kësaj a mund të na tregoni diçka më tepër për letrën që ju i drejtuar Çilit pasi ai ju bëri një thirrje për hapjen e dokumenteve që kanë emrin tuaj në dosjet e sigurimit të shtetit. Së pari çfarë e konsideroni këtë letrën tuaj dhe gjithë debatin rreth saj?

Kjo është diçka e njohur. Unë prej shumë vitesh kam kërkuar kur ka qenë rasti hapjen e arkivave të fshehta, dokumenteve të fshehta, organizmave të fshehta, të shërbimit shqiptar të sigurimit.

Kjo nuk është një gjë e pazakonshme. Në çdo vend që pretendon të kalojë nga tirania në liri, një nga veprimet e para që mund të kërkojë është ai i hapjes së gjërave të fshehta që janë mbuluar me kujdes gjatë viteve të diktaturës.

Në diktaturë sundon me mijëra mënyra, por me mënyra të fshehura thelbi vihet tek përgjimi i fshehtë. Dhe kështu që është një gjë e njohur. Gjermania e filloi, po kështu edhe vendet ishkomuniste. Gjermanët u treguan më të ndjeshëm pasi ishin djegur dy herë, nga dy diktatura të ndryshme, por edhe të ngjashme shumë, nazizmi dhe komunizmi.

Shumë njerëz nuk iu pëlqen po të krahason këto dy lloj tiranish që kanë luftuar me njëra-tjetrën, por tiranitë shpesh ngjajnë, dhe do tentojnë prapë të ngjajnë nëse njerëzimi nuk do marrë masat për t’i shkulur.

Dhe një nga masat për t’i shkulur, është zbulimi i arkivave të fshehta të tyre që të mos ketë me enigma mistere, të dimë ato ç’kanë ndodhur, sepse kanë ndodhur shumë gjëra dhe ne nuk dimë të vërtetën. Dimë një lloj të vërtete të stisur, dhe të paraqitur në formë gjysmë-teatrale dhe më keq akoma.

Le ta fillojmë me një letër që është botuar së fundmi në shtyp dhe që ka të bëjë me motrën tuaj, një letër që i drejtohej udhëheqësit. A mund të na thoni diçka më shumë rreth kësaj?

"Po unë kam kërkuar vite më parë që të hapen arkivat e fshehta dhe më kujtohet një kritik, studiues i njohur francez, i cili njihet si eksperti numër një i komunizmit në botë, autori i librit që mund të gjendet edhe në shqip “Libri i zi i komunizmit”, ka një enciklopedi të diktaturave komuniste; më intervistoi dhe më pyeti: Z.Kadare a e keni menduar mirë që kërkoni këtë hapjen e arkivave, se ndodh që njeriu lë kudo ndonjë gjurmë, dhe mbase edhe ju keni lënë ndonjë dokument që s’do donit të hapej.

Ndërsa unë në përgjigje i thashë se këtë gjë e kam menduar shumë mirë, dhe nuk jam aq thjesht nga mendja sa të harroj gjëra të tilla të mëdha. Ai më tha është qëndrim i adhurueshëm për mua, dhe e botoi këtë.

Kur e botova këtu në Shqipëri 5-6 vite përpara shumë njerëz kanë rendur nëpër arkiva se kanë menduar të shikojë ky se ç’kemi për t’i nxjerrë ne. Dhe kjo është e vetmja letër që gjatë 40 viteve unë i kam bërë Enver Hoxhës.

S’ka tjetër, dhe po e përsëris sot te juve këtë: Nuk ka letër tjetër që unë t’i jem drejtuar liderit absolut, tiranit absolut shqiptar gjatë 40 viteve, është vetëm kjo. Kjo letër është shkruar me dorën time, sepse kur kërkova t’i bëj një letër Enver Hoxhës, sekretari i tij më tha: Shoku Kadare ka disa kushte që ai ka dhe juve duhet t’i pranoni.

Letrën duhet ta shkruani me dorën tuaj, të mos mbani kopje, të mos lini kopje askund, dhe të mos lini gjurmë askund të kësaj letre. Dhe unë e shkrova letrën me dorën time, e besova këtë, se kujtova se diktaturat nuk kanë ndonjë forcë mbinjerëzore për të verifikuar gjërat, por kujtoja se verifikonin ndoshta çdo gjë. Dhe letrën e pashë tani kur u botua në shtypin shqiptar", shprehet shkrimtari.

Ai thotë se në 40 vite ajo është e vetmja letër që i ka dërguar tiranit absolut, siç e quan ai Enver Hoxhën. Duke sqaruar se e ka shkruar letrën ëpr të shpëtuar motrën, shkrimtari i njohur e cilëson turp botimin e saj dhe thotë se nuk e njeh personin që e ka nxjerrë.

“Ky njeri e ka nxjerrë këtë letër me mënyra të dënueshme, nga njerëz që kanë shkelur ligjet e shtetit njëherë. Shërbimi i fshehtë i një vendi diktatorial të përsosur në kuptimin më të keq të fjalës. Siç ua thashë në fillim unë nuk kisha të drejtë të mbaja kopje për veten time.

Kjo ka dalë nga thelbi i sekreteve të diktaturës dhe unë nuk e di se ç’bën ky shtet që nuk e sqaron këtë. Kjo letër nga një pikëpamje është pa ndonjë kuptim të madh, se nuk tregon asgjë për mua. Përkundrazi, do të thosha, ndoshta nuk po e teproj, më bën nder.

Kjo letër tregon se njëri nga familja ime hetohej ditë e natë nga sigurimi i shtetit. Unë e shkruaj atje që është një gjë që ma tha shteti, që motra jote është në vëzhgim të vazhdueshëm. Mos ma merrni për mburrje, por në atë kohë unë isha shkrimtari më i njohur shqiptar brenda dhe jashtë vendit, dhe një familjar i imi përgjohej ditë e natë.

Dhe i kam thënë se kjo ndikon në gjithë jetën time, në kontrollet time, në punën time të përditshme. Dhe duke kërkuar, nuk ngre ndonjë britmë në qiell që pse më bëhet kjo poshtërsi apo jo, por doja t’i thoja se ju duhet ta dini që me mua po me ndodh ky hetim. Edhe unë vetë duhet ta di pse bëhet kjo gjë. A më pengon kjo mua në jetën time apo jo”,- thotë shkrimtari. Pas publikimit të saj, një gjë është e sigurit dhe shkrimtari e pohon me gojën e tij, kur thotë se me atë letër i ka kursyer jetën së motrës, që përgjohej vazhdimisht nga Sigurimi i Shtetit.

“Nuk di ç’të them, se në atë kohë ishin rreziqet kaq të mëdha dhe njeriu nuk duhet të abuzojë me këtë gjë. Gjithë njerëzit kanë qenë të rrezikuar. Nuk është ndonjë zbulim i madh që bëra unë, se përse ma thanë mua. Ishte një paralajmërimqë më bënë.

Ndoshta vetë ata tani s’e mbajnë mënd, a janë në këtë botë a s’janë. Unë nuk e di, s’e kam të qartë. Është një mister që e mbulon punën e kësaj letre. Po mua ajo s’më prek fare në biografinë time, s’më bën asgjë. Çfarë kam unë në përgjegjësi që motra ime u përgjoka nga sigurimi i shtetit.

Mua edhe motra me përgjohej, dhe imagjino edhe vetë sa shumë përgjohesha. Nga ky hetim, ai grup ku bënte pjesë motra ime, dhe që u arrestua pothuajse i gjithi, njëra nga gratë vdiq në burg, dhe asnjë s’po bën sot hetim, edhe pse duhet të ishte bërë.

Kanë qenë 4 a 5 gra, njëra ka vdekur në burg, të tjerat janë liruar. Zoti e di kur, s’di se çfarë ka ndodhur me to, a janë torturuar. Motra ime është ajo që është kursyer, për shkak se është motra ime. Ka qenë një gjë shumë e hidhur, shumë e trishtuar, por që nuk është marrë njeri seriozisht me të”,- thotë Kadare.