Transmetuar më 16-09-2017, 12:07

Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot në ceremoni e 75-vjetorit të Konferencës së Pezës.

Kreu i shtetit e cilësoi si një ngjarje të jashtëzakonshme e cila hodhi themelet e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe bashkoi forcat më pozitive, më patriotike të Shqipërisë në një front të vetëm antifashist, që më pas përgatiti 29 nëntorin e vitit 1944.

“Jemi këtu për të shprehur mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata përfaqësues që lanë dallimet politike dhe idetë e ndryshme dhe u bashkuan këtu në Pezë për një qëllim të përbashkët dhe madhor për çlirimin e vendit nga pushtuesi. Jemi këtu për të shprehur mirënjohjen edhe ndaj popullit të Pezës dhe ndaj patriotit të jashtëzakonshëm Myslym Pezës, i cili falë patriotizmit të tij, burrërisë së tij, besës së tij, ndihmoi që të bashkoheshin këtu forcat më patriotike të kohës, nacionalistët, antifashistët, komunistët me një platformë të vetme dhe një platformë të përbashkët”, u shpreh Meta.

Ai tha se Konferenca e Pezës, hodhi themelet e bashkimit të luftës për liri pikërisht kaq pranë kryeqytetit të vendit dhe mesazhi i saj u shpërnda anembanë Shqipërisë shumë shpejtë.

Presidenti citoi vargjet “ndoshta bimë kjo tokë s’do të lindë, por do të rrisë partizanë”.

Ai tha se sot, pikërisht 75 vjet pas Konferencës së Pezës është dhe një koiçidencë kuptimplotë, pasi  mblidhen Shefat e Shtabeve e të gjithë vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë.

Kjo pasi, sipas tij, Konferenca e Pezës e vendosi Shqipërinë në rrugën e duhur dhe në aleancën e duhur, në aleancën e lirisë të asaj kohe.

“Në atë traditë të mrekullueshme edhe sot Shqipëria është në aleancën më të madhe të lirisë, në Evropë dhe në botë, që është ajo e NATO-s. Pezën jo vetëm ta kujtojmë dhe gjithashtu këtë Konferencë të lavdishme, por mesazhet e saj duhet gjithmonë t’ja përshtasim të tashmes dhe të ardhmes duke gjetur gjithmonë forca dhe vetëdije për t’u bashkuar dhe për të bashkëpunuar për të mirën e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve”, deklaroi Meta. /a.y/noa.al