Transmetuar më 17-09-2017, 10:12

Ashtu siç kishin paralajmëruar, banorët e lagjes Shkozë në Tiranë, të cilët preken nga prishja e 150 banesave, kanë filluar marshimin e tyre drejt Ambasadës Amerikane.

Ata shprehen se do të kërkojnë që çështja e tyre të mediatizohet edhe më tej me qëllim që çështja e banesave të tyre të marrë një zgjidhje të pëlqyeshme për të gjitha palët.

Banorët që preken nga projekti i rehabilitimit të Lanës në këtë pjesë të Tiranës, do të përpiqen të dorëzojnë në Ambasadën Amerikane një letër ku do të shprehin të gjithë shqetësimin e tyre për atë çfarë po ndodh me banesat e tyre.

Këta banorë nuk pranojnë të trajtohen me bonuse qeraje apo me kredi të butë, ndërkohë që shprehen se edhe pse kanë kërkuar të legalizohen prej shumë vitesh, shteti nuk u ka mundësuar që të jenë të ligjshëm.

Ndërkohë që në letrën dërguar ambasadorëve Lu dhe Vlahutin shprehen se janë njoftuar për projektin vetëm pak kohë më parë.

Ndonëse autoritetet vendore i kanë garantuar mbështetje, ata janë gjendur pa asnjë zgjidhje në momentin kur kanë parë fadromat pranë banesave të tyre më 14 shtator. /b.l/noa.al/