Transmetuar më 17-09-2017, 12:35

Në ditën e dytë të vizitës së tij në SHBA, në Bienalen e Arkitekturës së Çikagos, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi para arkitektëve dhe urbanistëve pjesëmarrës disa nga projektet më të rëndësishme që do të realizohen në kryeqytetin shqiptar.

Ai deklaroi se pas përfundimit të punimeve për ndërtimin e pjesës kryesore të sheshit “Skënderbej”, ka nisur puna për pjesën pas bustit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si dhe sistemimi i hapësirës midis Bibliotekës Kombëtare dhe Kullës së Sahatit.

“Po zgjerojmë pjesën pedonale të sheshit pas “Skënderbeut”, me lulishten klasike, që e mbajmë mend që fëmijë. Mandej, vazhdojmë me atë që quhet Kopshti i Librave, midis Bibliotekës Kombëtare dhe Kullës së Sahatit. Pra, ajo zonë do të kthehet në një mjedis ku mund të marrësh e japësh libra, e lidhur natyrshëm edhe me Bibliotekën Kombëtare”, tha Veliaj.

Ndërkaq, për të lehtësuar dhe përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve, pas Pallatit të Kulturës do të ndërtohet stacioni i autobusëve, ku do të jenë të përqendruara në një pikë të vetme të gjitha stacionet që aktualisht janë vendosur rreth zonës së Unazës së Vogël.

“Pas Pallatit të Kulturës do të vazhdojmë me stacionin e autobusëve, si një stacion autobusësh që eliminon gjithë stacionet rreth Unazës së Vogël, duke i sjellë në një pikë të vetme. Këtë vit shtuam flotën në mbi 300 autobusë të rinj për gjithë Tiranën dhe aktualisht kemi 25 linja. Kjo do të thotë që janë integruar edhe shumë prej zonave rurale”, u shpreh ai.

Sa i përket zhvillimit të një plani rregullues për Lumin e Lanës, kryebashkiaku Veliaj sqaroi se aktualisht ka nisur puna për hartimin e një projekti në bashkëpunim dhe me qeverinë japoneze për të eliminuar derdhjen e ujërave të zeza. Veliaj tha se fillimisht projekti do të zgjidhë problemin për 300 mijë familje që ndodhen në pjesën veriore të qytetit, e më pas do të shtrihet edhe në pjesën jugore.

“Jemi duke bërë një projekt me qeverinë japoneze, e cila vendos të gjithë kanalizimet e zeza në një kolektor që i shmang nga derdhja në Lanë. Në një farë mënyre, Lana ishte kthyer në kolektorin natyral të Tiranës. Kolektori zgjidh të paktën problemin për 300 mijë familje, pra pjesën veriore të qytetit. Do të duhet të bëjmë të njëjtin investim edhe për pjesën jugore.  Brenda 5 viteve nuk do të kemi më ujëra të zeza që derdhen në Lanë, por dy kolektorë që ecin paralelisht”, tha ai.

Plani i Përgjithshëm Vendor do t’i japë Tiranës jo vetëm një infrastrukturë më të mirë, por do të ndikojë edhe në cilësinë e jetës së qytetarëve. Pjesë e këtij plani është ndërtimi i Pyllit Orbital, që sikurse tha kryebashkiaku Veliaj, synon mbjelljen e 2 milionë pemëve të reja deri në vitin 2030.  

Kryebashkiaku i Tiranës zhvilloi edhe një takim me komunitetin shqiptar që jeton në Çikago, me të cilët bisedoi rreth transformimit që ka pësuar Tirana gjatë këtyre dy viteve, si dhe mundësinë e bashkëpunimit dhe rritjes së kontributit të emigrantëve shqiptarë në ekonominë shqiptare.

Veliaj vlerësoi nismën e marrë nga qeveria shqiptare për rritjen e rolit të diplomacisë ekonomike dhe të krijimit për herë të parë të Ministrisë së Shtetit për Diasporën. Veliaj u shpreh se emigrantët duhet të kenë të drejtën e votës për t’u ndjerë të përfaqësuar edhe politikisht në vendin e tyre. /b.l/noa.al/