Transmetuar më 18-09-2017, 12:34

Me rastin e 10-vjetorit të “E diela shqiptare”, një prej programeve më popullore në ekranin e TV Klan, producenti Ardit Gjebrea ka ftuar disa nga bashkëpunëtorët më besnikë dhe më të gjatë të këtij formati.

Disa kanë nisur qysh në fillim e janë akoma aty, disa kanë ardhur e kanë ikur, të tjerë i janë bashkuar skuadrës gjatë rrugës, ndërsa juristja Eni Çobani me rubrikën e saj ishte ftuar për të qenë vetëm 2-3 sezone, por edhe për të parashikimet ndryshuan rrugës.

Sot, ndërsa ajo kujton me nostalgji 5 vitet aspak të lehta të “Shihemi në gjyq”, ndër të tjera përmend edhe rastin kur është menduar për të thënë ‘mjaft’. Eni kujton një konflikt që do të trajtonte një të diel në program dhe vetëm të shtunën, në orët e vona të darkës, zonja që do të ishte të nesërmen i telefonon dhe i thotë se nuk do të ishte prezente:

“Rreth orës 11 të natës, më merr në telefon dhe më tha që nesër unë nuk vij dot. Realisht, nuk vij dot. Ju mund ta mendoni se sa shumë u shqetësova kur të nesërmen duhet të dilja në transmetim…”, – rrëfen Eni, e cila atë natë thuajse nuk vuri gjumë në sy, derisa u gdhi.

Mori makinën dhe u nis drejt qytetit ku banonte zonja me të cilën do të kryente seancën e ndërmjetësimit. E vështirë, por arriti ta bindë që ajo të ishte pjesë e programit për ta çuar deri në fund rrugën e nisur: “Besoj që arritëm atë që ajo edhe sot më falënderon…” – tha Eni për rastin e saj me të keq, pas të cilit e ka menduar edhe tërheqjen nga “Shihemi në gjyq”.

Por Arditi nuk i lë me kaq ngacmimet për bashkëpunëtoren e tij. Pyetjen e të gjithëve, të bërë disa herë edhe në publik, ai ia përsërit juristes: “A janë të vërtetë ata që vijnë në “Shihemi në gjyq”?

Ndërsa Eni ia kthen pa u menduar gjatë: “Në fakt, Ardit, ti ke bërë një gabim shumë të madh në gjithë këto vite… A ke ardhur ndonjëherë në zyrën time?” “Jo”, – u përgjigj Arditi pa keqardhje.

“Së shpejti do të marr për krahu dhe do të të ul në zyrën time. Mendoj se nuk do të doje të ktheheshe më aty”,  ia ktheu Eni duke sqaruar se rastet e vërteta duken më shumë pikërisht atje, ku njerëzit mblidhen të rrëfejnë hallet e tyre dhe të shpresojnë që juristja e të gjithëve t’ua zgjidhë.