Transmetuar më 18-09-2017, 14:23

Në komandën e Forcës Detare, u zhvillua sot ceremonia e përcjelljes së kontingjentit të 6-të të anijes “Oriku” të Forcës Detare në operacionin e NATO-s “Sea Guardian”, në detin Egje.

Të pranishëm në ceremoni, ishin ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Forcës Detare, gjeneral major Ylber Dogjani, komandantët e forcave, përfaqësues të pushtetit vendor, dhe familjarë të pjesëtarëve të ekuipazhit.

Në fjalën e tij, komandanti i Forcës Detare Ylber Dogjani, vlerësoi rolin dhe përkushtimin e 5 kontingjenteve të para, në vëzhgimin dhe parandalimin e fluksit të emigrantëve të paligjshëm në detin Egje.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cilësoi krizën e refugjatëve si një prej sfidave më të mëdha që po përjeton sot Europa, si dhe përmendi arritjet e kontingjenteve paraardhëse në detin Egje.

“Janë mbi 540 persona të moshave, gjinive dhe shtetësive të ndryshme, që ju u keni shpëtuar jetën. Sirianë, irakenë, por edhe nigerianë, kongolezë, somalezë e jemenas, sot jetojnë falë sakrificës së ushtarakëve shqiptarë. Vetëm në dy muajt  e fundit, kontingjenti që ju do zëvendësoni, ka shpëtuar 151 jetë njerëzore, prej të cilëve 33 gra dhe 56 fëmijë. Na keni bërë të gjithëve krenarë, jeni shembulli më i mirë i sakrificës dhe i vetëmohimit”, u shpreh Xhaçka.

Gjithashtu, ministrja njohu të pranishmit edhe me objektivat e qeverisë, për sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë.

“Qeveria do të vazhdojë t’i kushtojë një rëndësi të veçantë sigurisë kombëtare dhe kontributit në sigurinë globale. Programi ynë do të vijojë me angazhimin ushtarako- operacional në nivele maksimale, si në operacionet e mbrojtjes kolektive, ashtu edhe në misionet paqeruajtëse të drejtuara nga NATO. Programi ynë qeverisës, do të ketë edhe një dimension të ri. Mbrojtja dhe siguria do të konsiderohen gjithashtu edhe projekte shoqërore, për të angazhuar sa më shumë të rinj dhe të reja në funksion të formimit të tyre profesional dhe formësimit të vetëdijes kombëtare.”

Kontingjenti i 6-të i Forcës Detare në detin Egje do të drejtohet nga kapiteni i rangut të 3-të Silvan Boni dhe për herë të parë, pjesë e ekuipazhit do të jenë edhe 2 zonja. Togere Aurela Bala dhe rreshtere Esmeralda Murati, do të jenë 2 zonjat e para të Forcave të Armatosura shqiptare që do të jenë pjesë e një operacioni ndërkombëtar detar.