Transmetuar më 18-09-2017, 16:07

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti në një takim Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, z. Knut Fleckenstein. Pasi i uroi mirëseardhjen, Ruçi nënvizoi vendosmërinë e Kuvendit të Shqipërisë për vijimin e procesit integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian si edhe me vijimin e reformave që e përshpejtojnë këtë proces.

Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit u shpreh se në vijim të plotësimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian, Shqipëria po vijon punën për implementimin e reformës në drejtësi dhe veçanërisht të ligjit të Vetting-ut.

“Rezultati i zgjedhjeve të qershorit ishte një mandat i qartë për reformat evropianizuese. Ne kemi filluar zbatimin e reformës në drejtësi, që u miratua me konsensus ndërpartiak në korrik 2016 dhe që do të forcojë ndjeshëm luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”,- tha Ruçi, duke shtuar se Kuvendi i Shqipërisë pret çeljen e negociatave më Bashkimin Evropian për vijimin e reformave të mëtejshme legjislative.

Gjithashtu, Kryetari Ruçi theksoi se Kuvendi i Shqipërisë do vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Parlamentin Evropian në nxitje të reformave kyçe që nevojiten për forcimin e shtetit ligjor dhe për mirëqeverisjen ekonomike.

“Ne i shohim rekomandimin e Komisionit Evropian, konkluzionet e vendeve anëtare dhe kushtet e tyre specifike për zbatimin e reformës në drejtësi si inkurajim. Jemi plotësisht dakord me faktin se zbatimi i reformës në drejtësi përbën elementin themelor për çeljen e negociatave dhe për këtë ne shpresojmë që kjo të ndodhë sa më parë”, – tha Ruçi.

Nga ana e tij Fleckenstein e uroi Ruçin për rezultatin dhe zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit të Shqipërisë, duke shprehur edhe një herë mbështetjen e tij dhe të Parlamentit Evropian në procesin e integrimit të Shqipërisë.

“Ju siguroj që grupi parlamentar që unë përfaqësoj, por edhe ai i Partive Popullore Europiane, jemi mbështetësit e rrugës tuaj për në Bashkimin Europian si dhe çeljes së negociatave për anëtarësim. Bashkimi Europian kishte dy kushte thelbësore për Shqipërinë. E para, ishin zgjedhjet, të cilat në vlerësimin tonë ishin më të mirat që ju keni zhvilluar në gjithë këto vite.

E dyta, ishte avancimi me reformat e rëndësishme dhe të domosdoshme kryesisht në atë të drejtësisë, për të cilat ne kemi një opinion dhe vlerësim shumë pozitiv. Shqipërisë i duhej të punonte fort në këtë drejtim. Nuk ka dyshim që kjo po bëhet dhe ne do të bëjmë çmos që KE të çelë negociatat me vendin tuaj. Për këto arsye, unë jam i bindur se Komisioni do të vendosë për ‘PO’ në qershor të vitit të ardhshëm”, tha z. Fleckenstein. /b.l/noa.al/