Transmetuar më 18-09-2017, 17:08

Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar në lidhje me debatin e hapur sot nga opozita mbi reformën zgjedhore.

Rama deklaroi përmes një qëndrimi të bërë publik përmes zyrës së shtypit të Kryeministrisë, se reforma zgjedhore është pjesë e marrëveshjes së 18 majit me kreun demokrat Lulzim Basha.

Ai theksoi se kjo reformë do të nisë vetëm nga vota e shqiptarëve jashtë kufijve.

Ndërsa duke i kthyer përgjigje edhe kreut të demokratëve Lulzim Bashës i cili në një dalje për mediat vuri tre kushte për vënien në zbatim të kësaj reforme që të përgatiten zgjedhjet e reja parlamentare, kreu i qeverisë shkruan se idetë e një pale nuk janë kusht për të tjerët.

“Reforma zgjedhore brenda paketës së 18 majit dhe nis nga Vota e Shqiptarëve jashtë kufijve. Plus: Idetë e një pale s’janë kusht për tjetrën”, tha z.Rama.

Lulzim Basha, në një dalje publike, vuri tre kushte për vënien në zbatim të kësaj reforme.

“Votimi dhe numërimi elektronik; ulja e rolit të kryetarëve dhe partive në proces; dhe dhënia e më shumë pushtet qytetarëve. Pasi ky është një proces që nuk u takon vetëm partive politike, por gjithë qytetarëve, ndaj duhet t’i angazhojmë të gjithë për të dhënë kontributin e tyre”, ka pohuar më herët z. Basha.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili tha se mbështet me forcë reformën zgjedhore, dhe shpreson që të ketë rezultat vërtetë pozitiv. “Tangove PS-PD u ka ardhur fundi”, tha ai.

Në një konferencë për shtyp, z.Vasili tha se nëse nismat e tjera, referuar dhe asaj të PD-së janë serioze dhe i japin përgjigje plagëve të zgjedhjeve ka mbështetjen e LSI-së. /b.l/noa.al/