Transmetuar më 19-09-2017, 11:18

Për herë të parë në histori, Komiteti Ushtarak i NATO-s u mblodh fundjavën e kaluar në Tiranë. Shefat e shtabit të ushtrive të 29 vendeve anëtare diskutuan për sigurinë në rajon dhe zgjodhën si kryetar të ardhshëm të komitetit, që sot drejtohet nga një gjeneral çek, shefin e Flotës Ajrore britanike.

Ministrja e re e Mbrojtjes, Xhaçka dhe shefi i sapodekretuar i Ushtrisë, Kollçaku patën rast ta nisin detyrën me një “stërvitje” të nivelit të lartë. Bashkë me Komitetin Ushtarak, në Tiranë ishte Komandanti Suprem i NATO-s, Curtis M. Scaparroti.

Komandanti ushtarak i NATO-s është historikisht një gjeneral i Ushtrisë ose i Flotës Ajrore Amerikane. Ky post është mbajtur për herë të parë nga Ajzenhauer, më vonë nga një person i dashur për shqiptarët, Uesli Klark dhe sot, nga gjenerali me 4 yje, Scaparroti.

Ai është njeriu përgjegjës për operacionet ushtarake të Aleancës dhe njëkohësisht mban detyrën e komandantit të ushtrisë amerikane në Europë. Curtis Scaparroti ju përgjigj pyetjeve të “Gazeta Shqiptare”.

Ai identifikoi 3 kërcënime kryesore për Shqipërinë dhe rajonin: Rritjen e influencës së jashtme, ekstremizmin dhe kthimin e luftëtarëve të huaj.

Gjeneral, Komiteti Ushtarak i NATOS-s u mblodh për herë të parë në Tiranë. Cilat ishin qëllimet, çfarë u arrit nga kjo konferencë dhe çfarë kontributi i sjellin takime të tilla sigurisë së përbashkët?

Ne u mblodhëm në Tiranë për të bërë një pasqyrim të situatës së përgjithshme, për të ndarë me njëri-tjetrin pikëpamjet dhe informacionet tona në çdo fushë. Kësisoj, ne mund t’u japim udhëzime apo informacion të saktë ushtarak shteteve anëtare, por edhe sekretarit të Përgjithshëm dhe Komitetit ushtarak të NATO-s.

Ky ishte rezultati i takimit. Ne folëm për shumë çështje, p.sh për misionin “Resolute Support” në Afganistan apo misionin e KFOR-it në Kosovë.

Trajtuam projektimin e stabilitetit, si mund të krijojmë një mjedis të tillë dhe çfarë udhëzimesh mendojmë se na duhen ne, si drejtues ushtarakë, në mënyrë që ta zbatojmë këtë projekt stabiliteti.

Ne diskutuam për komandën drejtuese të NATO-s, çfarë ndryshimesh duhen bërë aty. Të gjitha këto çështje janë shumë të rëndësishme dhe patëm shkëmbime mendimesh dhe bisedime mjaft, mjaft të mira. Kështu, kjo ishte një mundësi përfitimi për të gjithë.

E fundit, që mund të them, sa herë që shefat e shtabeve të 29 vendeve mblidhen së bashku me komandantët, kemi të bëjmë me një shans të vërtetë. Sepse aty ka ekspertizë të kualifikuar dhe mundësia për t’i folur njëri-tjetrit sy më sy sjell gjithmonë përfitim për të gjithë. Është shumë më mirë se komunikimi me telefon ose të tjera si kjo.

Një nga qëllimet e konferencës ishte diskutimi mbi situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Cilat mendoni se janë kërcënimet kryesore për Shqipërinë dhe rajonin?

NATO është e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan. Ne kemi një mision në Kosovë, KFOR, i cili siguron një mjedis të sigurt. Kjo është e rëndësishme dhe ne jemi të përkushtuar në këtë drejtim. Sfidat që ne kemi janë p.sh, një rritje e influencës së jashtme, sigurisht shqetësimet për ekstremizmin dhe kthimi i luftëtarëve të huaj, gjëra, të cilat ne i diskutuam.

Pra, këto janë çështjet që sfidojnë situatën stabël, por disi të brishtë në Ballkanin Perëndimor.

Ne i trajtojmë gjithnjë me kujdes këto gjëra. Kërkojmë vazhdimisht raportime nga komandantët e KFOR-it për shembull, që të sigurohemi që kemi perspektivën e duhur dhe që mund të japim këshilla shumë të sakta se çfarë nevojitet për të siguruar vazhdimësinë e përforcimit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe, sigurisht, të punojmë për dialog dhe pajtim atje.

Si mund ta ndihmojnë NATO dhe Shtetet e Bashkuara rajonin e Ballkanit, që të luftojë terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm? Çfarë mund të bëjë Shqipëria më shumë apo më mirë në këtë drejtim?

Si fillim dua të them se Shqipëria aktualisht bën shumë, veçanërisht në mbështetje të misioneve të NATO-s kudo që janë. P.sh, meqë po flasim për Ballkanin, Shqipëria merr pjesë në misionin e KFOR-it, në atë mision që është kyç për Kosovën por jo vetëm për të. Ai mision ka një impakt në të gjithë rajonin. Theksoj rëndësinë e kontributit të Shqipërisë në misionin atje. Shqipëria është një partner kyç në këtë mision.

E dyta, brenda për brenda NATO-s, Shqipëria kontribuon pa dyshim në shkëmbimin e informacioneve të shërbimeve inteligjente.

Antiterrorizmi nuk është diçka me të cilin një shtet mund të përballet i vetëm. Për këtë nevojitet aleanca, duhen partnerë. Asnjë shtet nuk e ka të gjithë informacionin, por nëse ne e shkëmbejmë me njëri-tjetrin atë që dimë, ne mund ta fuqizojmë veten tonë mbi një rrjet terrorist dhe ta shkatërrojmë atë.

Kjo është mënyra që mund të bëhet kjo gjë. Dhe Shqipëria luan rolin e saj me forcat ushtarake të saj, me kapacitetet e shërbimeve inteligjente, me kontributin p.sh, në KFOR ose në HUB. (Bazë ushtarake për operacionet e NATO-s që ka rol ndihmës, furnizues)

Dua të fokusohem pak te kontributi i Shqipërisë në misionet paqeruajtëse. Mësuam se në muajin prill Shqipëria dyfishoi praninë ushtarake në Afganistan. Si e sheh NATO rolin e Shqipërisë në këto misione?

Në vështrim të parë Shqipëria është një nga vendet e vogla të NATO-s, por ka ushtarakë shumë të përgatitur dhe ushtri mjaft aktive.

Pra, ju ndërkohë po merrni pjesë: jeni në misionin “Resolute Support”, në Koalicionin e Irakut, në KFOR, ju merrni pjesë rregullisht në operacione. Pothuajse në çdo mision të NATO-s, Shqipëria ka qenë ose është pjesë. Ajo luan rol kyç, ky është kontribut. Partneriteti ynë na bën ne aleancën më të fortë ushtarake në histori dhe aktualisht na siguron që të kemi një Europë të lirë dhe në paqe.

Në fund, desha të shtoj diçka. Unë pata mundësinë të takohem personalisht me ministren tuaj të Mbrojtjes dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjë që e vlerësoj shumë, duke ditur se ata kanë vetëm pak ditë që kanë marrë këto detyra.

Ne patëm një bisedë mjaft produktive ku shkëmbyem mendime mbi çështje të ndryshme dhe folëm për kontributet në këto çështje. Gjej rastin që t’i falënderoj ata për këtë dhe, gjithashtu, për mbështetjen në mbajtjen e konferencës së Komitetit Ushtarak të NATO-s këtu në Shqipëri. Jam i nderuar që i takova ata dhe pres të bashkëpunoj me ta, ndërkohë që bëjmë përparime të përbashkëta në NATO.