Transmetuar më 19-09-2017, 19:10

Të gjithë ata që janë pronarë toke do të paguajnë taksë për ujitjen pa marrë parasysh nëse e përdorin këtë shërbim apo jo. Një dokument i qeverisë i publikuar në korrik të këtij viti nga Ministria e Bujqësisë për ujitjen dhe kullimin jep edhe detajet sesi do te funksionoje kjo skemë e cila synon të mbledhë paratë e nevojshme për funksionimin e strukturave të koordinimit dhe investimeve.

Në fakt edhe sot mblidhet një taksë vjetore për ujitjen veçse ligji sanksionon se atë e paguan zotëruesi i tokës por jo shtesa nëse ai e përdor apo jo këtë shërbim.

Skema, si do caktohet dhe mblidhet taksa sipas strategjisë

Drejtoritë e Ujitjes dhe Kullimit së bashku me Njësitë e Ujitjes dhe Kullimit të bashkive dhe Organizatat e Përdorimit të Ujit -të takohen çdo fillim viti për hartimin e Planit të Shërbimit të Ujitjes, buxhetit dhe Tarifës së Shërbimit të Ujitjes. Më pas shkohet në këshillin bashkiak ku dhe kërkohet miratimi i buxhetit dhe tarifës.

Kur sistemi ujitës bëhet financiarisht i qëndrueshëm, bashkitë dhe Organizatat e Përdorimit të Ujit do të nxiten të krijojnë një fond rezervë, i cili mblidhet çdo vit dhe do të përdoret për mbulimin e kostove fikse të menaxhimit të sistemit ujitës.

Kostot kostot fikse për ujitjen (mirëmbajtje, zyra, staf) do të mblidhen nga bashkitë nga të gjithë pronarët e tokave brenda zonës së shërbimit të sistemit ujitës, pavarësish nëse ata zgjedhin të ujitin ose jo. Kostot variabël i ngarkohen vetëm fermerëve që kërkojnë ujitje dhe kjo duhet të bëhet sa më shumë të jetë e mundur, bazuar mbi sasinë e ujit të kërkuar dhe atë të dhënë.

Qeveria do të hartojë procedura të reja për pagesën dhe depozitimin si për tarifat fikse, e thënë ndryshe Tarifa Vjetore e Mirëmbajtjes (TVM), ashtu dhe për koston variabël apo ndryshe Tarifën e Shërbimit të Ujitjes (TSHU). Pagesa për TVM, e cila mbulon kostot fikse bazë, do bëhet si për taksat dhe tarifat e tjera të vendosura nga bashkia, shkruan Monitor.al. Ajo do të vendoset mbi këdo që zotëron apo merr me qira një tokë, brenda zonës potenciale të shërbimit të të ujitjes.

Pagesat nga pronarët/qiramarrësit mund të bëhen direkt në zyrat e taksave në bashki ose nëpërmjet transfertave bankare. Përdorimi i fondeve do të bëhet duke qenë Njësia e Ujitjes dhe Kullimit e bashkisë si firmë e parë e autorizuar dhe OPU-ja si firmë e dytë. Pagesat për Shërbimin e Ujitjes do të kryhen 50% përpara sezonit të ujitjes dhe 50% në mes të sezonit të ujitjes.