Transmetuar më 19-09-2017, 20:19

Nënkryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili shpreh shqetësim në lidhje me ligjin për importin e plehrave, duke thënë se “populli shqiptar është shumë i shqetësuar për pasojat e rënda mbi shëndetin e tij dhe të gjeneratave që do të vijnë”.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Vasili shkruan se “zgjidhja e vetme është një referendum popullor”, për t’i thënë sipas tij “jo vërshimit të plehrave në Shqipëri”.

Ai vijon më tej se “këtë vendim mund ta marrë vetëm populli pasi pasojat e tmerrshme mbi shëndetin dhe jetën do te bien mbi të dhe do ti vuajë vetëm ai”.

Postimi i plotë i Petrit Vasilit:

“Referendum popullor për plehrat.

Ligji për importin e plehrave u fut në mënyrë tinëzare në parlament një vit më parë, pasi kryeministri demagog e anulloi importin e plehrave me vendimin e tij të parë si kryeministër në shtator 2013.

Populli shqiptar është shumë i shqetësuar për pasojat e rënda mbi shëndetin e tij dhe të gjeneratave që do të vijnë.

Populli është shumë i shqetësuar që Shqipëria do të shndërrohet në gropën e plehrave të të gjithë Europës, pasi me këtë ligj të gjithë llojet e sojet e plehrave do të derdhen në Shqipëri.

Zgjidhja është vetëm një REFERENDUM POPULLOR për t’i thënë po ose jo vërshimit të plehrave në Shqipëri.

Këtë vendim mund ta marrë vetëm populli pasi pasojat e tmerrshme mbi shëndetin dhe jetën do te bien mbi të dhe do ti vuajë vetëm ai”./a.k/noa.al/