Transmetuar më 20-09-2017, 09:15

E zhdukur pa gjurmë qysh prej fillimit të shtatorit një vajzë e re nga Kukësi është gjetur në mënyrën më tragjike të mundshme.

Në vijim të kërkimeve për gjetjen adoleshentes A.H., të shpallur në kërkim, bazuar në denoncimin e bërë nga i ati, për largim e saj nga banesa, policia e Kukësit gjatë kontrollit të territorit në fshatin Pistë, e ka gjetur të renë e pajetë.

Më konkretisht 17-vjeçarja A.H., me banim në fshatin Gdheshtë të Kukësit, është gjetur gjatë pasdites së djeshme në kodrën e fshatit, e varur me litar në një pemë pishe.

Mësohet se e reja ishte shpallur në kërkim për largim nga banesa, pasi më 2 shtator, është paraqitur në policinë e Kukësit, i ati B.H., i cili ka bërë denoncim për largimin e saj nga banesa.

Nga ekspertiza mjeko-ligjore, në trupin e viktimës nuk ka shenja dhune, si dhe dyshohet të jetë vetëvarur. Paraprakisht dyshohet se akti fatal është kryer në kushtet e depresionit prej së resë, e cila kohëve të fundit kishte shfaqur shenja mërzie.

Për të zbuluar më shumë rreth ngjarjes, materialet iu referuan Prokurorisë së Kukësit për ndjekje të mëtejshme lidhur me veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”. /a.y/noa.al