Transmetuar më 20-09-2017, 10:41

Shkatërrohet në Itali një grup që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike, gjatë të cilit u arrestuan nëntë shqiptarë dhe një italian.

Operacioni u zhvillua nga policia e Milanos gjatë natës së lënë pas, ende pa zbardhur e mërkura, ndërkohë që arrestimet u shtrinë dhe në provincat e Legnanos, Torinos dhe Varese.

Mësohet se të arrestuarit janë mes moshës 22 dhe 54 vjeç, të akuzuar si të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike, heroinë, kokainë dhe marijuanë.

Hetimet për prangosjen e të dyshuarve zgjasnin prej afro tetë muajsh, ku mbaheshin nën vëzhgim lëvizjet e dyshuara për hyrje-daljet e drogës.

Bëhet fjalë për një libër kontabël të sekuestruar nga policia italiane, ku rezulton se nga aktiviteti kriminal i këtyre muajve është përfituar rreth 2 milionë euro, para të ardhura nga shitja e drogës.

Mësohet se trafiku i drogës drejtohej nga dy familje shqiptare, të cilat merreshin me organizimin e trafikut. /a.y/noa.al