Transmetuar më 20-09-2017, 15:15

Një tjetër rast i trafikimit të lëndëve narkotike është goditur në Portin e Vlorës nga policia kufitare, ku janë sekuestruar 79 kilogramë kanabis sativa, ndërsa janë vendosur në pranga dy persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Zbulimi i drogës erdhi si rezultat i kontrolleve në vijën e dytë të Pikës së kalimit Kufitar, ndërsa në pranga janë vënë Arben Kamberaj, 49 vjeç, dhe Irakli Myrto, 48 vjeç, të dy banues në Vlorë.

I përfshirë në këtë veprimtari rezulton të jetë edhe shtetasi R.B., (për arsye hetimi, nuk jepen më tepër të dhëna), i cili është shpallur në kërkim policor.

Sasia e lëndës narkotike e dyshuar kanabis sativa me peshë totale prej 79 kilogramë u konstatua e fshehur në brendësi të kanatave të 9 dritareve duralumini, brenda një automjeti kamion tip "Mercedes Benz" me targa AA 939 LK.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasinë e lëndës narkotike si edhe automjetin kamion.

Po punohet për kapjen dhe ndalimin e autorit të tretë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme. Materialet janë referuar në Prokurori, për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve, mbetur në tentativë". /b.l/noa.al/