Transmetuar më 20-09-2017, 16:01

I arrestuar prej 19 ditësh për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Fildes Hafizi, autori i dyshuar Fadil Kasemi i kërkoi Gjykatës së Apelit që të lirohet nga masa e burgimit pa afat.

Kërkesa e tij vjen në një kohë kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka përfunduar ende inspektimin në Gjykatën e Kavajës, e cila e kishte dënuar me tre vjet burgim Fadil Kasemin pas  përpjekjes së tij në vitin 2015 për të vrarë Fildesin, tentativa e parë e njohur për drejtësinë që përfundoi pa tragjedi, për t’i lënë vendin asaj të para tre javëve kur i mori jetën.

Kërkesa e Kasemit u shqyrtua nga gjyqtarja e Apelit, Nertina Kosova që rrëzoi pretendimet e mbrojtjes, e cila nga ana saj u shpreh se as avokati dhe as klienti nuk janë dakord që Fadil Kasemi të qëndrojë nën masën arrest me burg.  

Duke qenë se avokatët pretendojnë arrestin me afat 60 ditë ndaj klientit të tyre, ose një masë më e butë derisa të dalë ekspertiza mendore, Fadil Kasemi theu heshtjen. 

“Unë nuk mbaj mend asgjë. U kërkoj avokatëve dhe kujtdo tjetër të mos merren me familjen time dhe as me nderin e gruas time, të cilën vazhdoj ta dua”, – tha ai.

Fadil Kasemit e ka pranuar krimin me një deklaratë në polici, ku edhe u kërkoi falje fëmijëve të tij. 

Gjatë këtyre ditëve i akuzuari ka heshtur megjithë përpjekjet e Prokurorisë për të shkëputur një rrëfim prej tij.

Kasemi akuzohet se e vrau Fildes Hafizin pak kohë pasi kishte dalë nga burgu, ku vuajti dënimin pas tentativës së parë për ta vrarë të shoqen në vitin 2015. 

Gruaja 39-vjeçare, gjyqtare në Gjykatën e Shkodrës dhe nënë e dy fëmijëve i kishte dhënë fund martesës dy vjet më parë.

Siç tregojnë dokumentet, ajo kërkoi edhe urdhër mbrojtjeje në gjykatë prej, kërkesë prej së cilës u tërhoq brenda 15 ditëve.