Transmetuar më 20-09-2017, 16:42

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për prishjen e ndërtimeve pa leje nëpër spitale.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook , Vasili shkruan se pikërisht ky vendim i parë i Ministrisë së Shëndetësisë, sipas tij, nuk ishte në asnjë pikë të programit të qeverisë për shëndetësinë.

“Ministrja e Shëndetësisë tha se filloi të prishë ndërtimet pa leje nëpër spitale. Pra, e filloi nga këtu ndonëse ky nuk ishte në asnjë pikë të programit të qeverisë për shëndetësinë. Në 2013-n, Kryeministri, me bujurdi të madhe, si edhe ministri i Shëndetësisë, mbytën televizionet dhe shqyen fytin duke thënë se i spastruan spitalet nga ndërtimet pa leje”, shkruan Vasili.

Deputeti Vasili thotë se edhe në vitin 2013 kryeministri Rama tha se i spastruan spitalet nga ndërtimet pa leje, por ky vendim i dytë tregon se ndërtimet janë përsëri aty.

“Kush është fajtori që qenkan ndërtuar prapë gjatë 2013-2017, apo u desantuan nga diku larg? Apo kryeministri iku për turizëm dhe nuk di gjë as për këtë? Ndërtimet pa leje, i njëjti refren qesharak për shëndetësinë në çdo fillim mandati. 

Është i qartë që s’ka asnjë vizion për shëndetësinë, s’ka strategji, ka vetëm mediokritet antimjekësor dhe thellim të qorrsokakut ku ajo ka hyrë. Ky është shndërrimi i Ministrisë së Shëndetësisë në një drejtori komunale”, përfundon Vasili. /b.l/noa.al/