Transmetuar më 20-09-2017, 20:13

Nga Spartak Ngjela

l.

Jetojmë në një kohë ku politika ndihet e trembur.

Të gjithë liderët politikë janë trembur: edhe Rama që e fshehte frikën deri tani, është i trembur; njëlloj si Saliu; njëlloj si Basha; dhe njëlloj si Meta përpara tij.

Pyetja që ngrihet këtu është kjo:

Pse kanë frikë këta hipokritë?

Kryesorja është se ra hipokrizia e tyre; nuk kanë më forcë demagogjike; dhe në fund: kërcënohen nga Reforma në Drejtësi.

Thelbi i reformës në drejtësi, është pastrimi i lidershipit politik të të dyja krahëve në Shqipëri, si njerëz të korruptuar dhe pa asnjë vlerë në drejtimin e vendit.

Kur të shkruhet beteja e Saliut kundër Reformës, që u luajt për një vit rresht sikur ajo të ishte një betejë kundër Ramës dhe jo kundër Amerikës, në një kohë që Rama sillej sikur ky të ishte autori, që nuk kishte shkruar asnjë rresht në të; të gjithë shqiptarët do të pështirosen kur të kujtohen se kush i ka drejtuar.

Rama, një mendje fëminore, mendoi me shpresë që Saliu do të bllokonte Reformën, se nuk e ka ditur kurrë se ç'është forca në politikë, sepse çdo hap politik, me përjashtim të hapit të parë që ia dha Fatos Nanoja, ai e ka blerë me leje ndërtimi. Por me ato leje që e kanë kthyer Tiranën sot në një shëmtim që duhet prishur por që, si pasojë të lejeve Rama të ndërtimit, minimumi do të kushtojë 700 milionë Euro. Turp!

Il.

Faktin që kjo frikë është e përbashkët, të korruptuarit u bashkuan.

Por çfarë do të bëjnë?

Asgjë.

Pse atletet e Ramës do të mundin Uashingtonin dhe Berlini?

Të dyja politikat qeshin me të tre, sidomos Uashingtoni. Por Berisha që e di se bashkimi është një pesë me hiç, është më i tërhequr dhe i futur në këllëfin e tij. Ai po shpreson më shumë te një konflikt me tension të lartë ndërkombëtar Lindje - Perëndim, që të gjejë shpëtimin e shpronësimit të të gjithë taborit Berisha.

Shenjat janë që politika amerikane do ta godasë ashpër kryeministrin shqiptar po të vijojë të mendojë se me bashkimin BB (Berisha Basha) do të kalojë në Lindje ose do të trembë politikën amerikane se mund të kalojë në Lindje.

Por në cilën Lindje do të kalojë ky kryeministër? Në fakt ky është një i trembur, dhe asgjë më.

Frika në thelb është injorancë: pse, a nuk e mendonte injoranca e lashtësisë se rrufetë i hidhte Zeusi!

Edhe ISIS-i sot, me liderët e saj injorantë, allahu mendon se i hedh rrufetë.

lll.

Po Meta?

Edhe ky i trembur duket edhe pse është i mbrojtur me korracën e Presidentit për pesë vjet.

Në takimin me Flecktenstein-in sot, Meta filloi sërish me melodinë e tij false: "konsensusi gjithëpërfshirës".

Rri Meta, mos u fut në këtë lojë bllokuese, se do të bllokohesh vetë!

Meta tani është i siguruar nga goditja penale, por ka një pyetje të brendshme që vetë e ngre gjithë shqetësim dhe frikë: po pronat e mia?

Këtu fillon frika e tij. Por pronat do t'i dorëzojë njëlloj si gjithë të tjerët.

*****

Ky në fakt është segmenti i fundit kohor që do të përshkojnë shqiptarët drejt shpëtimit të tyre.

Rrini dhe shikoni tetorin që është fillimi i furtunës kundër gjyqtarëve të korruptuar, duke thënë: "na i pështirosët kohën tonë me imoralitetin tuaj!"

O tempora o mores!

Çfarë kohë të pamoralshme kemi pasur!

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al