Transmetuar më 21-09-2017, 08:38

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka ironizuar foton e kryeministrit Edi Rama me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.

Përmes një statusi në rrjetin e tij social Facebook, Paloka shprehet se "kush e di ç’ka hequr Trump t’i mbushë mendjen Ramës që të dalë në foto me të".

Po ashtu ai nuk harron të përmendë edhe faktin që Rama para se Trump të zgjidhej President në SHBA, tha se do kërcënoheshin marrëdhëniet mes dy vendeve.

"Ka patur merakun se mos Rama mbante fjalën dhe prishte marrëdhënien me SHBA pas fitores së tij", shkruan Paloka.

Kryeministri Edi Rama publikoi mbrëmjen e djeshme një foto me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Bashkë me ta në foto janë dhe bashkëshortet e tyre, përkatësisht gruaja e Edi Ramës, Linda Basha (Rama) dhe gruaja e Trampit, Melania Trump.

Bëhet fjalë për fotot e famshme që bëhen shpesh nga drejtues shtetesh e qeverish si dhe politikanësh, në mjediset presidenciale amerikane.

Edi Rama, ndodhet në Nju Jork të SHBA-ve, ku po zhvillon takime dhe po merr pjesë në Sesionin e 72-të të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. /b.l/noa.al/