Transmetuar më 21-09-2017, 09:23

Sekuestrohen mbi 25 kilogramë lëndë narkotike në një kamioninë në Lezhë, ndërsa në pranga ranë tre persona, mes tyre dy kosovarë.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se në kuadër të operacionit të koduar "Deltar" u arrestuan Besim Gashi, 47 vjeç dhe Sami Vatija, 41 vjeç, të dy banues në Kosovë, si dhe Ilir Markvukaj, 41 vjeç, banues në Lezhë, i dyshuar si drejtuesi i këtij rrjeti të trafikimit të lëndës narkotike drejt shtetit Kosovë.

Gjithashtu u shpall në kërkim e punohet për kapjen e shtetasit D.M., 49 vjeç, banues në Lezhë, pronar i servisit ku ishte përgatitur dhe paketuar lënda narkotike.

Arrestimi i dy shtetasve kosovar erdhi si rezultat i kontrollit të policisë, ku në Kryqëzim të Rriles, janë ndaluar nga shërbimet e policisë duke drejtuar mjetin Volkswagen kamionçinë, ku në brendësi të saj kishin modifikuar vendin e fshehjes së lëndës  narkotike mariuanë, e ndarë në 19 pako të mbështjella me natriban, e cila pas peshimit rezultoi 20 kg.

Ndërsa në servilin e 49 vjeçarit të shpallur në kërkim, gjatë kontrollit të ushtruar janë gjetur e sekuestruar edhe 5 kg 230 gram lëndë narkotike mariuanë.

Lidhur me dy lezhianët, vijon puna për verifikimin e pasurive, pasi i’u evidentuan dhe i’u sekuestruan në total 7 automjete në pronësi të tyre, ndër to Hammer, Mitsubish etj.

Vepra penale "Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike" në ngarkim të shtetasve Besim Gashi dhe Sami Vatija.

Veprat penale "Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike", “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” në ngarkim të shtetasve Ilir Markvukaj dhe D.M.

Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme. /b.l/noa.al/