Transmetuar më 21-09-2017, 12:55

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rregullimin e rrugës së "Oxhakut". Ky segment u vjen në ndihmë rreth 10 mijë banorëve në të gjithë zonën.

Teksa inspektoi punimet, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj tha se me rikonstruksionin e rrugës i është dhënë fund problemit të parkimit, dhe xona ka më shumë hapësira të gjelbërta. 

“Jam shumë i lumtur që kthehem sot dhe shoh këtë punë fantastike në Rr. “Imer Ndregjoni”. Kjo ka qenë një rrugë famëkeqe e Tiranës, rruga e Oxhakut, ku dikush mendohej mirë kur kalonte në verë nga pluhuri dhe nga balta në dimër, kurse sot është një situatë krejt tjetër. Jo vetëm rruga me cilësi më të mirë, por edhe vende të reja të parkimit, hapësira të gjelbra, rregullim fasadash”, tha Veliaj. 

Me këtë ndërhyrje, Veliaj nënvizoi se është rritur edhe vlera e pronës së qytetarëve.

“Kemi një rritje të vlerës së biznesit sepse ka më shumë frekuentim, mjedisi është më i këndshëm. Jemi duke menduar edhe për të vendosur një treg apo një kënd lodrash, ose shtojca të tjera që mund t’i bëhen projektit, për ta bërë rrugën akoma më të mirë”, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Rruga “Imer Ndregjoni” ndodhet në territorin administrativ të Njësisë Nr. 4 dhe shërben si një aks lidhës me Njësinë nr. 3. /k.k/noa.al/