Transmetuar më 21-09-2017, 14:55
Publicitet

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj shpalli sot fillimin e aksionit kundër informalitetit i cili në terren do të nisë më 1 tetor me strukturat në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Doganave dhe Inspektoriatit të Punës në terren, kur do të prezantohet edhe plani i detajuar i masave.

Gjatë vizitës në një sipërmarrje prodhuese në fushën e artikujve ushqimorë, Ahmetaj shpjegoi se beteja kundër informalitetit do të shoqërohet paralelisht edhe me një tjetër reformë të rëndësishme, ndër prioritetet kryesore të qeverisë në mandatin e dytë, që lidhet me lehtësimin e shërbimeve për qytetarët dhe sipërmarrjen apo rregulimin e tregut, duke synuar uljen e burokracisë, kohës dhe kostove për publikun.

“Aksioni fillon në 1 tetor. Institucionet, tatimet, doganat dhe Inspektoriati i Punës, të organizuar në grupe të përbashkëta, do të kenë një kalendar të detajuar pune në terren dhe nga zyra, në funksion të objektivit tonë për të zgjeruar bazën tatimore. Kryeministri e ka quajtur mandatin e dytë, midis të tjerash, mandatin e anti-informalitetit. Çdo ditë që do të kalojë, toleranca zero ndaj evazionit do të jetë evidente dhe do të jetë në qendër të punës së tatimeve, doganave, apo të gjithë instrumenteve institucionalë, fiskalë që qeveria dhe shteti ka”,  u shpreh ministri.

Sa i takon fokusit të aksionit, Ahmetaj sqaroi se do të jetë kryesisht sipërmarrja e madhe, por pa lënë jashtë vëmendjes dhe kontrollit të territorit fiskal edhe sipërmarrjen e vogël. Kuponi tatimor, regjistrat fiskalë, inventarët dhe punësimi e siguria në punë, do të jenë në vëmendje të aksionit.

Ai tha se qeveria, po në muajin tetor, ndërmerr paralel me fushatën anti-informalitet atë që quhet reforma e deregulimit.

Ahmetaj bëri me dije se është një reformë transformuese e shërbimeve publike ndaj qytetarëve dhe sipërmarrjes, duke i thjeshtëzuar autorizimet, licencat, lejet dhe duke bërë të mundur nëpërmjet reformimit të marrëdhënies mes doganave dhe sipërmarrjes apo individëve; tatimeve dhe sipërmarrjes apo individëve; por edhe nëpërmjet dixhitalizimit të shërbimeve, të reduktojmë një masë të madhe radhësh, kërkesash për shërbime që natyrshëm do të jenë më të thjeshta.

“Po ecim në dy korsi të rëndësishme. Korsia e anti-informalitetit, e cila do të jetë rigoroze dhe në bashkëpunim me sipërmarrjen dhe korsia tjetër, që është thjeshtëzimi i procedurave për të vazhduar nismën që patëm në fund të 2016-ës, me ligjin e thjeshtimit të procedurave tatimore. Tani bëjmë një përpjekje të re nëpërmjet planit shumë të detajuar të deregulimit që kemi mundësi ta shpallim gjithashtu në tetor”, përfundoi Ahmetaj. /a.y/noa.al