Transmetuar më 21-09-2017, 15:58

Policia e Elbasanit del me deklaratë lidhur me aksionin masiv të ditës së sotme, ku efektivët e këtij qyteti të mbështetur nga forcat RENEA dhe ato të FNSH, ndërmorën një operacion të gjerë policor në qytet dhe rrethinat e tij.

Ky operacion konsiston në kontrollin, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale, pjesëtarë të grupeve kriminale, duke përfshirë edhe autorët e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 18 shtatorit, ku një makinë luksoze goditi mjetin e nëndrejtorit të policisë së Elbasanit.

Gjithashtu ky operacion zhvillohet edhe në kuadër të planit “Vjeshtë 2017”, për identifikimin, konstatimin dhe sekuestrimin e aseteve, automjeteve dhe pasurive të vendosura në mënyrë të paligjshme nga veprimtaritë kriminale të grupeve apo organizatave kriminale.

Nga veprimet e deritanishme janë identifikuar dhe bllokuar disa asete, pasuri, ambiente dhe automjete të ndryshme në pronësi, posedim apo përdorim të subjekteve me aktivitet kriminal.

Me qëllim hetimin e plotë ligjor dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve po bashkëpunohet me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Si rezultat i operacionit të sotëm janë bllokuar disa makina luksoze, si dhe është kapur një person në kërkim për vjedhje me armë.

Gjithashtu janë kontrolluar ambiente, automjete e persona të dyshuar.

Nga ana e uniformave blu janë shoqëruar në ambientet e policisë 27 persona për verifikim, kryesisht persona me precedentë penal në fusha të ndryshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako deklaroi nga qyteti i Elbasanit, se operacione të kësaj natyre do të kryhen në të gjitha qytetet e vendit në ditët në vijim.

 “Prej orëve të para të mëngjesit policia e Elbasanit, e mbështetur nga forcat speciale, kanë organizuar një operacion të gjerë, i cili konsiston në kontrollin identifikimin e shoqërimin e personave me precedent kriminalë, në mënyrë të veçantë të personave me precedentë kriminalë në zonën e Elbasanit, duke marrë shkas dhe ngjarjen e fundit të ndodhur”, u shpreh Çako.

Kryepolici shtoi se disa nga të shoqëruarit janë të përfshirë në veprimtari kriminale, si dhe është identifikuar personi që goditi makinën e zv.drejtorit të policisë së Elbasanit.

Në vijim tha se në vlerësim edhe të porosive të dhëna nga ministri Brendshëm Fatmir Xhafaj në takimin e organizuar dje me drejtuesit kryesorë të MPB dhe të Policisë së Shtetit është ndërmarrë operacioni, i cili nuk do të jetë vetëm qytetin e Elbasanit por në të gjitha qytetet ku disponohen informacione mbi bazën e analizave të detajuara të grupeve dhe të individëve të cilët kanë aktivitet dhe veprimtari kriminale. 

Po ashtu tha se nuk do të tolerohet askush që do të sfidojë shtetin. /a.y/noa.al

Goditja e makinës së nëndrejtorit të policisë Elbasan, biznesmeni: S’jam në kërkim

Makina 100 mijë euroshe që goditi mjetin e policisë, deklaratë mbi ngjarjen. 3 të arrestuar

Makina 100 mijë euroshe në Elbasan, Basha: Dhëndri i Qazim Sejdinit goditi zv.drejtorin e policisë

Operacion për mjetet e trafikuara, ndalohet makina 100 mijë euroshe në Elbasan /a.y/noa.al