Transmetuar më 21-09-2017, 16:39

Deputetja demokrate Jorida Tabaku reagon ndaj deklaratës së sotme të ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili tha se nga 1 tetori nis aksioni kundër informalitetit, ku në fokus do të jenë sipërmarrjet e mëdha.

“E dini çfarë e shkakton informalitetin? Taksat e larta, sistemi i komplikuar fiskal me 6 nivele, burokracia dhe korrupsioni. Të njëjtat pengesa qe kane varfëruar vendin dhe larguar investimet e huaja qe janë ne nivelin më të ulët historik. E dini çfarë ndodhi herën e fundit që qeveria nisi aksionin anti informalitet? Mungesa më e madhe në të ardhurat e shtetit me një vlerë prej 80 milionë dollarë në vetëm një muaj”, shprehet Tabaku.

Ajo shton se ka një mësim që duhet ta kishin kuptuar “gjoja reformatorët”.

Sipas saj, lufta ndaj informalitetit nuk është aksion, por një përpjekje dhe politikë qeveritare përmes levave të ndryshme fiskale.

Po ashtu nënvizon se, në vend te propagandës që të mbushë portale e la​jme do qe më e udhës të rishikohej politika fiskale, duke thënë se për këtë të fundit duhet vizion dhe ndjeshmëri politike gjë që siç thotë ajo mungojnë.

Mungesa e tyre përkthehet në abuzime dhe korrupsion, shprehet Tabaku duke nënvizuar se për to qeveria është kampion, përndryshe si do shpjegohej gropa 325 milion që Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi se mungonin në buxhetin e shtetit. /a.y/noa.al

Ahmetaj: Nga 1 tetori në terren kundër informalitetit, në fokus sipërmarrja e madhe