Transmetuar më 25-09-2017, 21:10

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duket se po mban një qëndrim më të “zbutur” kur vjen fjala për Kosovën dhe raportin e këtij shteti me organizatat ndërkombëtare.

Kreu i shtetit serb ka deklaruar se Kosova mund të antarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara vetëm nëpërmjet një marrëveshje që ka përfitime të ndërsjellta.

Në një prononcim për gazetarët, Vuçiç tha se nga ky akord i mundshëm nuk nënkuptohet që serbët të mos marrin asgjë dhe shqiptarët të përfitojnë gjithçka.

Megjithatë, edhe njëherë, Vuçiç u shpreh kundër idesë së antarësimit.

“Jam shumë i sigurtë se përpjekja e tyre për t’u antarësuar në OKB do të dështojë. Ajo mund të rezultojë e suksesshme vetëm nëse arrijmë një marrëveshje. Megjithatë, ky akord s’mund të arrihet nëse dikush mendon se serbët nuk do të fitojnë asgjë dhe shqiptarët do të fitojnë gjithçka. Përpjekjet e Prishtinës deri më tani nuk kanë qënë serioze, pasi përfaqësuesit e tyre vijojnë të sillen vërdallë në korridoret e selisë së OKB-së”, tha Vuçiç.

Ai i konsideroi veprimet e zyrtarëve të Prishtinës si lëvizje që kanë prapavijë politike. Sipas tij, gjithçka po zhvillohet për shkak të rrethanave të brendshme. /k.k/noa.al/