Transmetuar më 26-09-2017, 18:01
Publicitet

Në kuadër të nisjes së aksionit kundër informalitetit, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj u ka dërguar një letër të hapur sipërmarrësve në vend.

Ministri kërkon bashkëpunim në këtë proces, në mënyrë që rezultatet të jenë të prekshme.

“Qasja jonë për betejën pa kushte dhe me zero tolerancë kundër informalitetit, ka hyrë në një stad të ri, në përgjigje të të cilit do të duhet të kalojnë edhe në një fazë të re të përgjegjësisë tatimore, bazuar tek rritja e pajtueshmërisë ndaj zbatimit të ligjit, vetëkorrigjimit, vullnetarizmit dhe transparencës”, thuhet në letrën e Ahmetajt, drejtuar sipërmarrësve.

Me synim për të ndërtuar një realitet të ri, ministri kërkon bashkëpunim nga sipërmarrësit, duke theksuar se çdo rekomandim apo ide është e mirërpritur.

Letra e plotë:

Të nderuar,

Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të prezantojë së shpejti planin e detajuar të aksionit për vazhdimin e betejës kundër informalitetit në ekonomi, si një nga prioritetet tona kryesore përgjatë mandatit të parë dhe që do të vijojë të mbetet i tillë edhe në katërvjeçarin e ardhshëm.

Ne mbetemi këmbëngulës në zbatueshmërinë e ligjit, për garantimin e rregullave të drejta e të barabarta në një treg të hapur e konkurrues, por në të njëjtën kohë, tejet mbështetës e bashkëpunues me biznesin sepse në këtë betejë, ne dhe sipërmarrja qëndrojmë në të njëjtën anë.

Tashmë kemi një eksperiencë të suksesshme nga viti i kaluar, me hartimin e paketës së thjeshtuar të mbi 42 procedurave tatimore e doganore, krahas një sërë lehtësish të tjera të prezantuara në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit.

Angazhimi ynë në këtë drejtim, vijon edhe me një tjetër reformë thelbësore në favor të sipërmarrjes, dhe rregullimin e tregut përmes reduktimit të numrit të lejeve/licencave dhe autorizimeve si dhe dokumenteve që kërkohen nga zyrat e shtetit për përfitimin e një shërbimi apo të drejte.

Qasja jonë për betejën pa kushte dhe me zero tolerancë kundër informalitetit, ka hyrë në një stad të ri, në përgjigje të të cilit do të duhet të kalojmë edhe në një fazë të re të përgjegjësisë tatimore, bazuar tek rritja e pajtueshmërisë ndaj zbatimit të ligjit, vetëkorrigjimi, vullnetarizmi dhe transparenca. k.k/noa.al/

Loading...