Transmetuar më 26-09-2017, 23:41

Pak çaste pas raportimit për dy aksidente me fatalitet në rrugën Prishtinë-Pejë, afër Komoranit, në rrjete shoqërore janë publikuar pamjet të ndjeshme nga këto dy aksidente.

Sipas informacioneve të para të Policisë, në fillim ka ndodhur një aksident gjatë të cilit shoferi ka humbur kontrollin mbi veturën e tij duke u vetaksidentuar.

Në këtë aksident kanë humbur jetën dy persona. Pak minuta më vonë, sipas Policisë, në afërsi të vendit ku ka ndodhur aksidenti i parë janë ndeshur një kamion dhe një autoambulance.

“Raportohet se edhe në autoambulancë një person ka humbur jetën”, ka njoftuar Policia.

Siç raportojnë mediat vendase, njësitet policore dhe të emergjencës kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në vend të ngjarjes për të identifikuar rrethanat se si kanë ndodhur të dy rastet.

Për këto raste është njoftuar edhe prokurori dhe hetimet janë në proces.