Transmetuar më 29-09-2017, 13:07

Nisi rikonstruksioni i plotë i shkollës 9-vjeçare “Dhora Leka” te Fusha e Aviacionit, në njësinë nr.7 në Tiranë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Vasilika Hysi, inspektuan nisjen e punimeve për rikonstruksionin e shkollës.

Veliaj tha se ky është investimi i radhës në këtë zonë, e cila në një kohë fare të shkurtër ka përfituar disa projekte shumë të rëndësishme, si në infrastrukturën urbane, ashtu edhe në atë sociale dhe sportive.

“Herën e parë erdhëm për çerdhen, e cila ishte komplet e degraduar, pastaj me projektin “Adopto një çerdhe” e transformuam. Herën e dytë erdhëm për kopshtin. Herën e 3-të për lulishten. Herën e katërt për ujësjellësin. Herën e pestë për rehabilitimin e zonës së “Doganës”. Herën e 6-të për këndin sportiv me Lorik Canën. Herën e 7-të për të gjitha instalimet që duhet të bëjmë te “Parku 1 KM”. Herën e 8-të për stacionin e autobusit, i cili e solli edhe këtë zonë si pjesë të qytetit dhe jo një periferi xhep edhe e veçuar. Herën e 9-të, pra sot për shkollën “Dhora Leka”. Do të vazhdojmë të rikthehemi për të investuar në infrastrukturën që i jep vlerë këtij komuniteti”, u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi faktin se falë këtij investimi kësaj shkolle do t’i shtohen ambientet sportive, ndërkohë do t’i jepet fund edhe problemit me të ftohtin në dimër, problem që do të marrë zgjidhje edhe në shumë shkolla të tjera të Tiranës që këtë vit.

“Gjithë zinxhiri i shërbimeve, çerdhe-kopësht-shkollë është shumë pranë njëri-tjetrit për komunitetin, ndaj besoj se strategjia jonë për të ndërtuar më shumë kënde lodrash, kënde sportive, palestra për të larguar të rinjtë nga bingot, bastet dhe kafenetë, është një strategji që po funksionon”, deklaroi Veliaj. 

Kryebashkiaku tha se edhe vendimi për t’i shtuar kësaj shkolle një palestër moderne, tregon më së miri se Bashkia e Tiranës është e vendosur për të fituar betejën me kafenetë dhe llotot, duke i kthyer kryesisht të rinjtë te sporti dhe jeta e shëndetshme.

“Është hera e parë që në qytetin e Tiranës është ulur numri i kafeneve që regjistrohen të reja çdo vit, është rritur numri i terreneve sportive që hapen çdo vit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do ta fitojmë edhe betejën kundër obezitetit, kryesisht jo të çështjeve të shëndetit fizik sesa të mentalitetit”, tha Veliaj. 

Ai u bëri thirrje të gjithë bizneseve që veprojnë në Tiranë që ashtu si iu përgjigjën thirrjes “Adapto një kopësht”, të kontribuojnë për t’i dhënë zgjidhje edhe problemit të trashëguar prej vitesh me shkollat.

Kreu i bashkisë shtoi se me ndërhyrjet që po bëhen në qytet, qoftë me ndërtimin e shkollave të reja, ashtu edhe me rikonstruksionin e atyre ekzistuese, nuk ka më asnjë arsye që prindërit të dynden për të regjistruar fëmijët vetëm në një numër të kufizuar shkollash, që për hir të së kaluarës gëzojnë një reputacion të mirë.

“I lus të gjithë prindërit, mos i merrni më qafë fëmijët tuaj, duke i paketuar në shkolla ku tashmë është mbushur numri i nxënësve. Mësuesit më të mirë po shkojnë në shkollat e reja, ndaj është shumë e rëndësishme që prindërit ta kuptojnë këtë: Nuk është ndërtesa ajo që e bën një nxënës të mirë, është mësuesi. Dhe mësuesit e portalit që rankohen sot më të lartët, ata po shkojnë dhe po fillojnë punë në shkollat e reja. Ndaj nëse duan cilësi, të shkojnë aty ku ka vend dhe ku është afër komunitetit”, tha Veliaj. 

Shkolla 9-vjeçare “Dhora Leka”, ndodhet në Njësinë Administrative Nr. 7, në zonën e Fushës së Aviacionit dhe aty marrin mësim 600 nxënës me një turn. Në këtë shkollë do të ndërtohet palestra e re në anën jugore të oborrit, si dhe ambientet ndihmëse, dhomat e zhveshjes për djem e vajza dhe ambientet sanitare.

Gjithashtu, godina do të ketë sistem qendror ngrohje, me pelet. Në këtë objekt do të kryhen edhe një sërë punimesh të tjera duke filluar drenazhimi, rikonstruksioni i plotë i tarracës, nyjet sanitare, heqja e gjithë shtresës së dyshemesë, kryerja e hidroizolimit të saj, zëvendësimi i dyerve të brendshme, kanalizimi i ujërave të zeza dhe të bardha, si dhe sistemimi dhe gjelbërimi i territorit të jashtëm.