Transmetuar më 29-09-2017, 13:27

Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Beratit me rastin e 29 shtatorit, “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”.

Fillimisht Presidenti së bashku me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi u ndal në Muzeun “Onufri”, të shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë Petrit Sinaj, përfaqësues të ndryshëm të pushtetit vendor e të bashkësive fetare si dhe deputetë të Qarkut dhe qytetarë të shumtë beratas.

Më pas Presidenti Meta vizitoi muzeun etnografik ku u njoh me historinë e themelimit të saj, objektet kryesore si dhe vlerat historike e arkitekturore të monumenteve të shumta e të lashta të qytetit të Beratit, duke deklaruar se për koinçidencë në “Ditën tonë Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, edhe popujt e Evropës kremtojnë “Ditën e Trashëgimisë Evropiane”.

Në fjalën e rastit ai tha se, Berati do të jetë përherë për ne një nga qendrat më të bukura e më tërheqëse të qytetërimit tonë mijëravjeçar.

“Ne shqiptarët jemi krenarë përpara historisë së kulturës evropiane pasi historia dhe trashëgimia shqiptare është pjesë dinjitoze e kësaj kulture evropiane sot. Madje do përmendja se vlerat tona historike e kanë pasuar edhe më tej këtë trashëgimi edhe në gjirin e pasurisë së kulturës botërore me përfshirjen në UNESCO të Butrintit, Gjirokastrës, Beratit dhe iso-polifonisë”, u shpreh Meta.

Më tej shtoi se thesaret tona të çmuara antike kështjellat, monumentet, sjellja e princave tanë të shquar me në krye Gjergj Kastriot Skënderbeun, libri i parë i gjuhës shqipe, më vonë Rilindja jonë kombëtare dhe publicistika e saj, janë tregues i bashkësisë së vlerave tona perëndimore.

Sipas kreut të shtetit, qytetarët anembanë Shqipërisë duhet të njihen, të familjarizohen dhe t’i mbushin me jetë akoma më tej këto objekte kulturore, që banorët rreth tyre të bëhen pjesë e vazhdueshme e projekteve të ruajtjes, mirëmbajtjes, gjallërimit dhe sidomos të atyre restauruese. /a.y/noa.al