Transmetuar më 29-09-2017, 22:23

Për kryetarin e Partisë Demokratike, rritje ekonomike me 4 përqind është një “mashtrim ordiner i garuzhdes numër 1”.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Lulzim Basha ka komentuar raportin e publikuar nga INSTAT, sipas së cilit rritja ekonomike e Shqipërisë për tre-mujorin e dytë është 4.06%.

Basha thotë se kjo është një gënjeshtër e qeverisë, ndërsa rendit disa të dhëna, sipas së cilit shumë rreth 17 milionë dollarë nuk u mblodhën nga TVSH-ja në dogana. 

“Rritje ekonomike 4%??? Mashtrim ordiner i garuzhdes nr. 1! Ja si e përgënjeshtrojnë të dhënat e vetë ministrisë së tij:

Sipas statistikave fiskale për periudhën janar-gusht 2017, konstatohet:

Mosrealizim të TVSH nga doganat në masën 17 mln dollarë”, thuhet në reagimin e Bashës.

Kryedemokrati shkon më tej kur publikon shifra të tjera.

“Akcizat me mosrealizim prej pothuajse 6 mln dollarë (-2.2%).

Tatimi mbi të ardhurat personale me mosrealizim prej 14 mln dollarë (-6.3%).

Investimet publike rezultojnë me mosrealizim prej 65 mln dollarë (-15.9%).

Importi i karburanteve rezulton në masën 264mijë ton, nga 340mijë ton që ishin në periudhën janar-gusht 2016, ose 22% më pak se 8-mujori i vitit të kaluar.

Ndërsa vetëm për muajin gusht 2017, konstatohet:

TVSH me mosrealizim prej plot 9 mln dollarë (nga te cilat -2.5 mln dollarë nga doganat dhe -6.5 mln dollarë nga tatimet.

Taksat nacionale me mosrealizim prej 4 mln dollarë.

Mosrealizim te investimeve publike ne masën 19 mln dollarë.

Importi i karburanteve gusht 2017 rezulton 2.7 mijë ton më pak sesa gusht 2016, ose 5.3% me pak.”, vijon argumentimi i Bashës. /k.k/noa.al/