Transmetuar më 30-09-2017, 10:26

Të gjithë qytetarët të cilët kanë rroba që nuk i përdorim më apo që dëshirojnë t’i dhurojnë ato për çështje humanitare, tashmë kanë ku të drejtohen.

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një tjetër nismë e cila synon mbrojtjen e ambientit dhe në të njëjtën kohë që t’u vijë në ndihmë personave në nevojë.

Në disa prej rrugëve kryesore të qytetit janë vendosur kosha të posaçëm ku të gjithë qytetarët mund të drejtohen për të dërguar rrobat e tyre dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Këpucë, rroba, çarçafë, batanije, çanta janë disa prej materialeve të cilat qytetarët mund t’i dorëzojnë dhe pas përzgjedhjes, ato që janë në gjendje të mirë do të dhurohen sërish, ndërsa ato që janë në gjendje jo dhe aq të mirë, do t’i nënshtrohen fillimisht riciklimit.

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash të rëndësishme për mbrojtjen e ambientit, duke filluar që nga projekti pilot për ndarjen e mbetjeve që në burim, marrëveshja me supermarketet dhe furrat e bukës për reduktimin e qeseve plastike si dhe aksione të ndryshme të pastrimit vullnetar të cilat synojnë ndërgjegjësimin e qytetarëve për ruajtjen pastër të mjedisit.