Transmetuar më 30-09-2017, 12:39

Vajza që shikoni në fotografi quhet Rigerta Loku dhe vjen nga Mirdita. Ajo mbajti sot në Kuvend një fjalim prekës, duke u përlotur vetë, por emocionoi edhe të pranishmit.

35-vjeçarja foli në Kuvend me rastin e një aktiviteti për mbështetjen e bujqësisë dhe fshatit, në të parin Parlament rural.

Rrëfimi i thjeshtë dhe plotë emocione i Rigertës për jetën e përditshme me plotë vështirësi në fshat ka përlotur të pranishmit në sallë, mes tyre edhe zyrtarë të huaj.

“Unë kam mbaruar studimet e larta në Romë, master shkencor për marrëdhënie ndërkombëtare me rezultate shumë të mira. E kthyer në Shqipëri në provincën time u gjenda duke administruar një tufë dhish prej 350 krerësh. Në fillim kur shkova në Itali ideja ishte që të vija këtu e të merresha me kafshën politike, por fati dhe provinca më krijoi mundësitë që unë të merrem me kafshën zoologjike. Pas 7 vitesh eksperiencë, sakrificash familjare e personale unë e im shoq nuk jemi penduar qoftë dhe një minutë të vetëm që jemi fshatarë, blegtorë dhe që kemi bërë këtë gjë të vogël në Mirditën e Madhe.

Kam shumë emocioni, ndjej mbi zemër dhe shpatulla peshën që kjo foltore të lëshon mbi shpinë, por unë do të iki prapë atje në provincën time, do të iki, dhe pesha e përgjegjësia do të bjerë mbi këta të nderuar deputetë. Fshati ka nevojë të rilindë, rimëkëmbet, rianimohet. Le ta quajmë si të doni, fshati ka nevojë për kapital njerëzor, ti shembim rrugët e braktisjes dhe të ndërtojmë rrugët e rikthimit”, tha ajo në fjalën e saj.

Fjalimi i Rigerta Lokut emocionion, përlot dhe godet fortë, ku kërkon fortë “ujë, rrugë shkolla dhe qendra shëndetësore”.

E reja u rikthye vite më parë në Shqipëri, po pavarësisht shkollimit, bashkitë në Rubik dhe Rrëshen nuk ia pranuan ‘Cv’-në.

Rigerta refuzoi të militonte në politikë, por së bashku me bashkëshortin e saj vendosën të hapin një fermë në fshatin Prosek, në Mirditë. /a.y/noa.al