Transmetuar më 01-10-2017, 18:31

Në ditën Botërore të moshës së tretë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu ishte sot pranë të moshuarve, shoqëruar nga të rinjtë vullnetarë të shkollës ‘Aleks Buda’ dhe ‘Sami Frashëri’, ku dha mesazhin e nxitjes së vullnetarizmit për të zbutur hendekun mes brezave dhe për t’i dhënë më shumë mundësi të moshuarve të dalin nga izolomi social.

Znj. Manastirliu u shpreh se herë të parë, qeveria mundësoi pensionin social për të moshuarit që më parë ishin tërësisht të përjashtuar nga sistemi, ku sipas saj sot, më shumë se 5 mijë të moshuar e përfitojnë atë.

U zgjerua fasha e kontrollit mjekësor bazë deri në 70 vjeç, duke ju përgjigjur kërkesës së vetë të moshuarve.

"Kemi ende shumë për të bërë për shërbimet social-shëndetësore. Ne do të ofrojmë më shumë shërbime komunitare për moshën e tretë, për të parandaluar problemet social shëndetësore të të moshuarve. Brenda vitit, do të miratojmë standartet e asistencës shtëpiake për të moshuarit që vuajnë nga probleme shëndetësore por edhe izolimi social", tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Më pas, znj. Manastirliu drekoi me të moshuarit e qendrës rezidenciale të të moshuarve në Tiranë, ku premtoi përmirësim të shërbimeve social-shëndetësore dhe kushteve infrastrukturore të këtyre qendrave në të gjithë vendin.

Më herët, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bashkua ecjes sensibilizuese për ndërgjegjesimin për të drejtat dhe potencialin e fëmijëve me sindromën Down, ku nisi fushata ‘Dont let us down’, organizuar nga fondacioni Down Syndrome Albania./a.k/noa.al/