Transmetuar më 01-10-2017, 21:52
Publicitet

Është shuar në moshë të re një shkencëtare shqiptare, pasi ishte prekur nga sëmundje e rëndë që i mori jetën tragjikisht në Vjenë të Austrisë.

Vlora Mehmeti – Tërshani, u nda nga jeta sot në moshën 35 vjeçare.

Stomatologu  Xheladin Ujkani, drejtori i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, përfaqësuese e së cilës organizatë për Austri ishte edhe e vetë e ndjera, njoftoi humbjen e shkencëtares.

Vlora Mehmeti – Tërshani, u lind më 20 mars1982 në fshatin Beçiq të Drenicës, Komuna e Vushtrrisë në Kosovë.

Ajo rridhte nga një familje arsimdashëse dhe atdhedashëse. Babai i saj, Hazir Mehmeti ishte ndër profesorët e parë të Biologjisë në Drenicë dhe aktualisht kryetar i shoqatës së mësuesve shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri.

Në vitin 1988, pas rrethanave të reja të krijuara në Drenicë, pjesën e mbetur të gjimnazit që kishte filluar në Vushtrri, Vlora e vazhdoi në gjimnazin “Schoppenhauerstrasse, BRG 18” të Vjenës.

Në tërë historinë e gjimnazit është e para dhe e vetmja nga nxënësit emigrantë, e cila nuk e përsërit klasën sipas rregullores për përvetësimin e gjuhës. Për këtë rast, i cilësuar si rast i veçantë, kujdestarja e klasës e informon Ministrin e Mësimit të Austrisë. Me nota të larta dhe afat rekord, ajo kreu gjimnazin.

Sukseset e Vlorës në fushën e shkencës nuk kishin të ndalur. Ajo përfundoi shumë shpejt Fakultetin e Farmacisë në Universitetin Shtetëror të Vjenës dhe Magjistraturën në Tokushima (Tokushima Bunri Unviersity, Japoni), te Profesori i njohur Asakaëa Yoshinori, në gjuhën angleze, duke u vlerësuar me notë të lartë dhe duke mbrojtur temën me vlerësim maksimal.

Studimet e doktoratës i ka përfunduar në shtator të vitit 2016 në drejtimin e Mikrobiologjisë në Universitetin e Vjenës dhe Austrisë në përgjithësi.

Vlora, nga përfundimi i studimeve në Vjenë, punonte në Universitetin më të vjetër në hapësirën gjermanofolëse dhe njërin ndër universitetet më të mëdhenj në Evropën qendrore, Universitetin e Vjenës.

Ajo ishte e angazhuar si punonjëse shkencore në Departamentin për Ekogjenomikë dhe Systembiologji (Department of Ecogenomics and Systems Biology), në sektorin laboratorik të njohur për hulumtime shkencore, njërin nga më të njohurit në sferën e biologjisë molekulare në botë.

Me punët e saja hulumtuese, shkencëtarja shqiptare ka prezantuar Universitetin e Vjenës në disa kongrese botërore të hulumtuesve nga lëmi i farmacisë, biologjisë molekulare dhe kudo që u shfaq, mori vlerësime të larta për rezultatet hulumtuese.

Këto hulumtime u botuan në revistat shkencore më prestigjioze të qendrave shkencore botërore.

Vlora ka qenë edhe bashkëpunëtore profesionale dhe përfaqësuese e Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS” në Austri.