Transmetuar më 02-10-2017, 18:30

Presidenti i Republikës të Shqipërisë Ilir Meta ndau një mesazh ngushëllimi për vdekjen e albanologut të mirënjohur Robert Elsie.

“Ikja e pakthim e këtij albanologu të shquar, përkthyes, hulumtues, studiues i palodhur i letërsisë dhe folklorit shqiptar dhe njëherazi mik i sinqertë e i çmuar i kombit tonë, është një humbje e madhe për letrat dhe kulturën shqipe”, shkruan Meta.

Më tej Presidenti i ka shprehur familjes, miqve e bashkëpunëtorëve të tij ngushëllimet më të thella e të sinqerta për humbjen e të dashurit të tyre, ndërsa thekson se Doktor Elsie i mbetemi përjetë mirënjohës që shkëlqeu përmes punës së palodhur.

“Doktor Elsie na la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme, një numër të konsiderueshëm librash dhe shkrimesh dedikuar letërsisë, historie, albanologjisë dhe kulturës kombëtare shqiptare.

E gjithë bota akademike shqiptare, dhe të gjithë shqiptarët kudo gjenden, i mbetemi përjetë mirënjohës këtij njeriu që shkëlqeu përmes punës së palodhur, modestisë fisnike, dhe qe e deshi e nderoi kombin tonë përmes veprës e fjalës”, përfundon mesazhin Meta. /b.l/noa.al/