Transmetuar më 03-10-2017, 23:29

Deputeti demokrat Agron Shehaj rrëfen për herë të parë arsyet se përse u bë pjesë e politikës, si u gjend në Partinë Demokratike dhe të qeshurat që shkaktoi fjalimi i parë i tij në parlament. I ftuar në emisionin “Kolaudim” në IN Tv, deputeti Shehaj thotë se ka pasur një kusht për kryedemokratin Lulzim Basha në momentin që ai i ofroi kandidimin e tij për zgjedhjet e 25 qershorit.

gron Shehaj:

“Pse u futa në politikë, ndërkohë që kisha deklaruar se nuk do të behëm pjesë e saj? Ashtu e mendova në atë kohë. Tashmë ndryshimi i madh është se kur të thërret kryetari i opozitës dhe të thotë kemi një projekt, doli një mundësi do shkojmë bashkë. Atëherë unë i thash ke nevojë për ushtarë apo do që të vish në pushtet. Po të jetë për këtë të dytën unë i thash nuk vij por vij në qoftë se do që të dëgjohet mendimi im. Ka qenë ftesë e tij dhe për mua ishte surprizë”.

“Lista” Basha për zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit ka sjellë debate të ashpra brenda demokratëve. Por akuza më e rëndë erdhi nga të larguarit kur thanë se deputetët e rinj ka blerë mandatin e deputetit. Një prej të rinjve është dhe Agron Shehaj, i cili ka këtë përgjigje.

Agron Shehaj:

“Absurditet të thuash që kryetari i partisë ka shitur mandatin e deputetit. 500 mijë Euro kam blerë mandati! Nuk e kuptoj se përse  thonë vetëm për mua, sepse ka shumë të rinj. Është absurditet të thuash që Basha ka shitur mandatin tim apo kujtdo qoftë”.

Ka shumë pak kohë që është bërë pjesë e politikës aktive, por Shehaj po sheh se brenda saj ka një ligësi të madhe.

Agron Shehaj:

“Ka një ligësi të tmerrshme në politike. Ka një ligësi që nuk ju kalon nëpër mendje. Do bëj një portal online që të bëj publike gjithë ligësitë, madje edhe me emra”.

Fjalimi i tij solli një debat në opinionin publik por që u përcoll me të qeshura në sallën e Kuvendi. Shehaj thotë në sallën e Parlamentit ka parë një falsitet, e kjo bëri që hyrja e tij në parlament të shenjojë dhe momentin më pesimist të tij.

Agron Shehaj:

“Falsiteti i fjalimeve në Parlament ishte i tmerrshëm. Madje njëri në sallë dhe u mallëngjye. Një nga momentet më pesimiste ka qenë në momentet kur u futa në Parlament, e si t’ia bëj atyre 500 mijë eurove që dhashë (qesh).

U acarova jashtë mase kur ata qeshnin. Por e gjitha ishte e organizuar. Kryeministri dha sinjalin zbardhni dhëmbët. Rama nisi e më pas vazhdun me radhë, ministrat dhe deputetët. Por në fakt kjo ju kthye si bumerang. Se njerëzit e panë videon e plotë dhe thoshin se këtu s’ka asgjë për të qeshur”.

Në fund, gazetarët e “Kolaudim” i bënë disa pyetje të shkurtra për të mësuar më shumë rreth personazhit Agron Shehaj.

Kolaudim: Si e ke bërë një milionëshin e parë?

Agron Shehaj: Me janë dashur 4-5 vite.

Kolaudim: Sa një milionësh keni?

Agron Shehaj: Do e shihni shpejt, do e shihni tek deklarata e pasurisë. Por të jeni të bindur se aty në Parlament ka njerëz shumë herë më të pasur se unë.

Kolaudim: Cila është fjala juaj e preferuar?

Agron Shehaj: Ambicie.

Kolaudim: Po cila më pak e preferuar, apo që nuk e duroni?

Agron Shehaj: Mashtrim.

Kolaudim: Çfarë ju ngre moralisht?

Agron Shehaj: Vlerësimi.

Kolaudim: Por që ju ul?

Agron Shehaj: Gënjeshtra dhe ligësia me deprimojnë.

Kolaudim: Kush është fjala që përdor kur shan?

Agron Shehaj: Idiot.

Kolaudim: Cila zhurmë ju pëlqen?

Agron Shehaj: Zhurma e dallgëve të detit.

Kolaudim: Po ajo që ju acaron më shumë

Agron SHehaj: Një fëmije që qan çdo gjysmë ore natën.

Kolaudimi: Cili profesion do ju pëlqente të bënit?

Agron Shehaj: Detektiv.

Kolaudim: Kur të shkoni në parajsë çfarë do të dëshironit tju thoshte Zoti.

Agron Shehaj: Give me five. Good job.