Transmetuar më 04-10-2017, 08:11

Në kuadër të muajit tetor, muaji i luftës ndaj kancerit të gjirit, gazetarja dhe moderatorja e njohur Fiori Dardha, e cila më shumë se një vit më parë e ka përjetuar bashkë me nënën dhe familjen e saj betejën me këtë sëmundje, ka dhënë një mesazh publik.

Duke u kërkuar të gjitha grave të mos i neglizhojnë kontrollet dhe vizitat, Fiori ka rrëfyer në disa rreshta ndjesinë që i ka lënë periudha pasi nëna e saj u diagnostikua nga kjo sëmundje.

“Kjo foto është shkrepur në një dhomë spitali 1 vit e gjysmë më parë, ndërsa statusin e mposhtëm e kam shkruar vjet në këtë kohë! Këta janë sytë e mamit tim! Shkëlqimin e tyre nuk e veniti dot sëmundja. Kujdesuni për shëndetin tuaj! E njoh mirë këtë dreq sëmundje! E di mirë se si të rrënon, jo vetëm fizikisht!

E njoh vuajtjen që të shkakton! E di se si ta turbullon jetën! E di se si të shembet bota! Kam mësuar përmendesh ekzaminimet, protokollin e mjekimit, llojet e kimioterapisë, seancat e radioterapisë, intensitetin e dhimbjeve, pafuqinë që ndjen gjatë terapisë, stresin që përjeton! Njoh "shijen" e lotëve që shkakton kjo dreq sëmundje!

Kur e ke në shtëpi nuk është më sëmundje e një personi, është vuajtje e gjithë familjes! Duhet forcë e madhe për të përballuar! Ta konstatosh në kohë kancerin e gjirit është fitorja më e madhe! Mos i neglizhoni kontrollet! Kujdesuni për jetët tuaja! Tetori është muaji i luftës ndaj kancerit të gjirit”, përfundon mesazhin gazetarja. /b.l/noa.al/