Transmetuar më 04-10-2017, 09:43

Deklarata e teologut dhe njëherësh imamit Elvis Naçi mbi gratë duke i bërë ato me faj se pse burrat tradhtojnë, shkaktoi reagime të forta në publik, duke lëshuar një lumë akuzash dhe kritikash ndaj tij.

Elvis Naçi i ftuar dje në emisionin "Pasdite në Top Channel" hodhi dritë mbi videon e shumëpërfolur të këtyre ditëve nëpër rrjetet sociale.

"Gjithçka është thënë në kontekstin e komunitetit tonë, disa besimtarë më kishin qarë hallin se gratë s’po e mbajnë më veten dhe kishte disa prej tyre që po shkonin drejt divorcit për shkak të mungesës së performancës që kërkohej nga femrat", sqaron ai, duke vijuar se ka edhe më shumë gra të cilat ankohen për bashkëshortët e tyre mbi vese të ndryshme.

Imami tha gjithashtu se është e patolerueshme që bashkëshorti me bashkëshorten të bëhen si motër e vëlla duke mos e mbajtur veten, sepse të dyja palët duhet të kenë një joshje pavarësisht viteve të martesës.

“Pastërtia, bukuria vlen dhe për mashkullin dhe për femrën. Tradhtia është një nga mëkatet më të mëdha. Mos lejoni që marrëdhënia të shkojë drejt tradhtisë. E kam thënë për të dy. Ne s’kemi studime kush tradhton më shumë dhe mendoj se s’ka dallim. Tradhtojnë të dy”, tha imami.

Më pas Elvis Naçit i drejtohet pyetja shumë e sikletshme nëse e ka tradhtuar ndonjëherë bashkëshorten e tij dhe ai përgjigjet kështu: “Nëse është pyetja për tradhti, jo. Por sipas fesë islame, mëkat është vetëm ajo që bën dhe jo ajo që mendon. Dy gjëra e mbajnë afatgjatë një martesë: çift i hapur. Sepse kështu kuptojnë më shumë njëri-tjetrin”, tha imami. /b.l/noa.al/