Transmetuar më 04-10-2017, 11:33

Tirana është i pari qytet në Shqipëri, i cili ka nisur t’u japë zgjidhje problemeve që qytetarët hasin sot në administrimin e pallateve dhe të mjediseve të përbashkëta. Përmes një letre të personalizuar dërguar familjeve në kryeqytet, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u bën thirrje qytetarëve të zgjedhin administratorët e rinj të pallateve.

Veliaj bën me dije se në ato zona ku nuk janë përzgjedhur ende administratorët, do të asistojë stafi i bashkisë për zgjedhjen e tyre dhe për organizimin e asamblesë së banorëve.

Kryebashkiaku Veliaj thekson se Tirana është metropoli i Shqipërisë, gjithmonë mikpritëse e kujtdo që vendos të ndërtojë jetën në kryeqytet, por rritja e numrit të banorëve që jetojnë dhe punojnë çdo ditë në Tiranë shpeshherë përkthehet në më shumë sfida, të cilat kërkojnë zgjidhje.

“Ritmet e shpejta dhe dinamika e jetesës bëjnë që të fokusohemi gjithmonë e më shumë tek familja jonë dhe apartamenti ynë, duke u kushtuar më pak kohë problemeve jashtë derës së shtëpisë. Sot, qytetarët e Tiranës bashkëjetojnë me këto probleme, ndoshta edhe konfliktohen mes tyre, edhe pse zgjidhjet shpeshherë janë fare të thjeshta.

Për këtë, Bashkia e Tiranës ka nisur projektin për bashkëpronësinë dhe 'administratorët e pallateve', i cili synon krijimin e një rrjeti punonjësish të përzgjedhur nga Ju dhe të certifikuar nga Bashkia e Tiranës, të cilët do të gjenden pranë komunitetit për t'i dhënë zgjidhje problematikave që lindin prej bashkëpronësisë”, thotë Veliaj.

Kreu i Bashkisë sqaron se kjo iniciative mbi të gjitha siguron standardet e ruajtjes së higjienës, shëndetit publik dhe të mbrojtjes kundër zjarrit, duke rritur kështu sigurinë e banorëve dhe duke vendosur standardet e munguara deri më sot.

“Projekti do të sigurojë gjithashtu mirëmbajtjen e ambienteve të bashkëpronësisë, duke moslejuar degradimin dhe shndërrimin e tyre në një problem për të ardhmen. Kujdesi për ambientet e përbashkëta ulmundësinë e shfaqjes së problemeve të vazhdueshme, ul shpenzimet, si dhe sjell më pak stres në përditshmërinë tonë”, shkruan Veliaj në letrën dërguar banorëve të Tiranës.

Ky projekt parashikon sinjalizimin e problematikave të ndryshme dhe angazhimin për zgjidhjen përfundimtare të tyre në 5000 pallate, që gjenden në 14 njësi administrative brenda Bashkisë se Re të Tiranës, duke përfshirë edhe Kasharin, Dajtin dhe Farkën. Kryebashkiaku Veliaj deklaron se zgjidhja e çështjes së bashkëpronësisë do të sjellë një përmirësim të dukshëm në ruajtjen e ambienteve të përbashkëta.

“Ndaj lus bashkëpunimin tuaj me stafin e Bashkisë që do të paraqitet pranë jush e do t'ju ndihmojë në organizimin e asamblesë së banorëve dhe zgjedhjen e administratorit tuaj.Ashtu si çdo qytet ka nevojë për Kryetarin e tij të Bashkisë, ashtu edhe një ndërtesë ka nevojë për një administrator, duke vënë kështu hallkën fundore të këtij zinxhiri, që ka në vëmendje mirëqenien e qytetarit. Mezi pres që edhe këtë iniciativë, si shumë projekte gjer më sot, ta kurorëzojmë me sukses. Kam shumë besim tek Ju”, e mbyll Veliaj letrën për familjet tiranase. /b.l/noa.al/