Transmetuar më 04-10-2017, 11:47

Bukuroshja nga Pogradeci u bë e famshme në “Big Brother”, por duket se që pas asaj dite, ajo është dashuruar me ekranin. Këtë vit, Xhensila Pere po tenton me vallëzimin, duke qenë një nga konkurrentet e “Dance With me”. Edhe pse vallëzon me Trimin, ish-missi tregon se mes tyre ka gjithçka përveç flirtit. Si një vajzë beqare që është, Xhensila tregon se edhe meshkujt VIP e tentojnë me të, edhe pse nuk ia dalin.

Rikthehet në ekran Xhensila, si ju erdhi ftesa për të qenë pjesë e “Dance With Me”?

Nuk ka qenë e vështirë për produksionin që të kuptonin sa e doja këtë spektakël, pasi në çdo intervistë timen e kam shprehur dëshirën për të qenë pjesë e një spektakli vallëzimi.

A menduat t’i thoshit ‘jo’ kësaj ftese?

Asnjëherë! Mezi e kam pritur.

Si i kishit marrëdhëniet me kërcimin para se të bëheshit pjesë e spektaklit?

Pasioni im për kërcimin është shfaqur kudo, sidomos në “Big Brother”, që mezi prisja “Happy hour” që të kërceja.

Po konkurrentët e tjerë si i ke parë, kë sheh si më të fortin, po më të dobëtin?

Kasti është i larmishëm, ka fusha të ndryshme dhe shumë i bukur. Vetë formula e “Dance With Me” nuk të lë vend për të parë konkurrentët si më të fortë, apo më të dobët. Aty ka vetëm një rregull: kërce! Konkurrente të fortë shoh veten, sepse jam çdo ditë në luftë me të, për të arritur maksimumin në teknikë.

Si i ke marrëdhëniet me partnerin në skenë, a ka një flirt mes jush?

Jemi si Tommy & Jerry. Ekziston gjithçka përveç flirtit.

Përse keni munguar për kaq kohë në ekran?

Munguar?! Si gjithë të tjerët, shijova pushimet verore mbas edicionit të 3-të të “Miss Universe Albania”, ku jam pjesë e produksionit dhe kemi qenë për 8 javë rresht në transmetim tek “Vizion Plus”. Dhe për më tepër, më duhej ky pushim për të marrë energjitë e duhura për tek “DWM”.

A është ky momenti për rikthim në TV?

Pse jo? Unë e dashuroj ekranin, besoj edhe ai mua.

Çfarë do të bëni pas kësaj, keni marrë oferta për të qenë në ndonjë format?

Është pak herët për të folur për formate të tjerë, por besoj se nuk do i ndahem më ekranit.

Duket se famën e “Big Brother” e keni lënë pas, por si ia keni dalë që të jeni ende një emër i lakuar?

Gjithçka me punë dhe përkushtim ndaj ëndrrës sime për të qenë pjesë e botës së bukur të televizionit. Gjithashtu, edhe duke rrezikuar, duke ecur jo sipas tregut, por sipas ideve të mia.

Sa ju ka ndihmuar të qenurit seksi?

Do të tregohesha hipokrite nëse do të thosha të kundërtën, që nuk më ka ndihmuar, por është thjesht 1/100 e asaj që të duhet për të ecur para dhe për të qenë ende pjesë e TV.

Duket se nuk kurseheni kur bëhet fjalë për poza hot, kur do ta shikojmë setin e ardhshëm?

Shumë shpejt, është në “furrë, po piqet”.

Me çfarë jeni marrë gjithë këtë kohë?

Kemi filluar përgatitjet me vajzën që do na përfaqësojë në “Miss Universe” në Las Vegas në datën 29 nëntor. Gjithashtu vijoj të jem pjesë e marketingut në revistën “VIP Albania”.

Po jeta sentimentale si po ecën?

Kam rënë në dashuri… me kërcimin.

A keni një partner në krah?

Nuk kam kohë për partner.

Plane për fejesë apo për martesë?

Pak herët, jam e vogël akoma ose të paktën kështu ndjehem.

Sa të ngacmojnë meshkujt e famshëm, ndonjë emër?

Meshkujt bëjnë detyrën, hedhin grepin, por pastaj ngelet për t’u parë nëse arrijnë të peshkojnë. Emër?! Besoj se fola tepër./gsh