Transmetuar më 04-10-2017, 13:59

Ish-deputeti demokrat Ridvan Bode sqaron lëvizjen për ringritjen e Partisë Demokratike, ku janë bashkuar një grup kritikësh të Lulzim Bashës dhe personalitete me zë, të cilët nuk u rikandiduan nga kryedemokrati në zgjedhjet e 25 qershorit.

Duke folur ditën e sotme për mediat, ai tha se një grup drejtuesish të PD, anëtarë kryesie, të këshillit dhe ish drejtues, i janë drejtuar anëtarësisë për një proces që synon unifikimin e partisë, për një proces zgjedhor të përgjithshëm.

“Bashkimi i PD përmes një procesi zgjedhor, qëllimi ynë. Të kërkohet ndjesë publike. Të mundësohet hapja e një debati për kapërcimin e problemit që ka lidershipi i cili vuan nga mungesa e kredibilitetit. Nuk kemi organizim juridik, por lëvizje brenda PD. Do i drejtohemi dhe zyrtarisht partisë por tashmë kërkesa është publike. Do takojmë demokratët anembanë Shqipërisë. Do jetë një platformë që do ta diskutojmë me gjithë anëtarësinë”, u shpreh Bode.

Ai tha më tej se, qëllimi i lëvizjes nuk është të gjendet konsensus me drejtuesit aktualë, por më i gjerë, bashkimi përmes një analize të thellë dhe jo të diktuar.

Bode shtoi se, nuk kërkohet ndarje postesh, por pajtim përmes një debati të përgjithshëm, analizës dhe zgjedhjeve.

Gjithashtu ai nënvizoi se rizgjedhja e kryetarit është kusht i panegociueshëm dhe se kjo i bën mirë dhe kryetarit për kredibilitetin e tij në rënie.

Bode deklaroi se nuk kërkohet të krijohen fraksione, por synohen votime dhe të drejta të barabarta në votime ku të jetë anëtarësia ajo që do të vendosë. /a.y/noa.al