Transmetuar më 04-10-2017, 15:30

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim gjatë ditës së sotme me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi kërkesën e Partisë Demokratike, lidhur me verifikimin e thelluar në kuadër të ligjit të njohur si “Për Dekriminalizimin”, për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi.

Prokuroria zbardh takimin dhe thotë se Llalla vuri në dijeni Kryeministrin se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimin e thelluar ndaj deputetit të PDIU, Aqif Rakipi disa muaj më parë.

Organi i akuzës bën me dije se procedura e verifikimit për këtë subjekt është ende në zhvillim, pasi Sektori i Posaçëm për “Dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme është ende në pritje të përgjigjeve nga ana e disa prej autoriteteve të huaja, të cilave u është kërkuar informacion.

Llalla shprehu garancitë e plota se Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kryejë verifikimet e thelluara për të gjitha rastet që do i paraqiten me kërkesë të subjekteve të njohur nga ligji, si edhe me iniciativën e saj, kur informacioni sigurohet nga të dhënat që përpunon institucioni i Prokurorisë.

Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi se, po vijon bashkëpunimi me autoritetet e tjera që kanë për detyrë verifikimin paraprak të subjekteve të ligjit “Për Dekriminalizimin”, ku veçoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si institucioni që kryen përpunimin paraprak të personave të zgjedhur në pushtetin qendror dhe lokal.

PD i dorëzoi sot kërkesë Prokurorisë që të verifikojë deputetin e saj Aqif Rakipin pasi pretendon se ky i fundit ka rekorde kriminale në Itali. /a.y/noa.al

Akuzat ndaj deputetit Rakipi, PDIU: Basha po e sulmon për herë të dytë

PD kërkesë Prokurorisë: Të verifikohen formularët e Aqif Rakipit dhe Gjetan Gjetanit