Transmetuar më 04-10-2017, 16:21

Kryeministri Edi Rama deklaroi se të shtunën do të bëhet publike platforma e bashkëqeverisjes me qytetarët dhe që nga pasnesër do jetë në dispozicion të gjithë atyre që duan të jenë pjesë e koalicionit qeverisës të Partisë Socialiste.

Duke folur pasditen e sotme nga Fieri gjatë konsultimit publik për buxhetin 2018, ai deklaroi se do të bëhet luftë kundër korrupsionit për të çliruar njerëzit e zakonshëm nga pesha e padurueshme e korrupsionit në të gjitha instancat e shtetit ku qytetarët kërkojnë të marrin shërbimin.

Në vijim ai tha se reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut do të çojë përpara përpjekjen kundër korrupsionit në nivele të larta.

Rama bëri me dije se në Asamblenë Kombëtare të PS gjatë së shtunës, do të shpallë ekipin e zëvendës ministrave, që siç tha ai ndryshe nga herët e tjera ka kaluar në një proces të hollësishëm përzgjedhje.

“Është bërë riorganizimi i brendshëm i strukturave të ministrive. Do të vijojë me strukturat e varësisë, me agjencitë, inspektoratet, zyrat dhe sportelet” deklaroi Rama.

Duke folur për portalin E-Albania, Rama u bëri thirrje qytetarëve që të refuzojnë të marrin certifikata.

“Çdo zyrtari që kërkon certifikatë, i thoni ndiz kompjuterin e ke aty në sistem. Është një kërkesë e padrejtë dhe e paligjshme. Është detyrim i çdo zyre shteti që kërkon certifikatë ta nxjerrë nga kompjuteri. Sot vetëm për certifikata janë 4.5 milionë kontakte në vit me zyrat e shtetit për të marrë një certifikatë një skandal i paimagjinueshëm, u shpreh Rama.

Më tej ai u ndal në ekonominë e vendit, duke deklaruar se rritja ekonomike është 4% dhe që sipas tij katër vite më parë ishte e pamendueshme.

Megjithatë ai shprehu ambicien se rritja ekonomike synon të shkojë mbi 5%./a.y/noa.al