Transmetuar më 04-10-2017, 16:58

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Donald Lu, i cili ka ashpërsuar deklaratat kohëve të fundit lidhur me situatën e krimit në vend, ka folur lidhur me momentin kur përfundon mandati i tij në Shqipëri.

Duke folur ditën e sotme për mediat, ai ka deklaruar ditën e sotme se mandati i tij përfundon në janar të vitit 2018.

Megjithatë ai ka kërkuar që të qëndrojë deri në verën e 2018.

“Mandati im mbaron në janar të 2018-ës. Kam kërkuar që të qëndroj deri në verën e vitit 2018.

Deri atëherë kemi shumë gjëra për të bërë”, - është shprehur z.Lu.

Ndër të tjera, ai e ka cilësuar si nder për veten dhe familjen time për këto dy vite e gjysmë që kaloi në Shqipëri.

Ambasadori Lu, dy ditë më parë deklaroi se derisa peshqit e mëdhenj të arrestohen, ndiqen penalisht dhe të futen në burg, kanabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin rryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen.

“Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave, dhe pastrimi i parave.

Shqipëria ka një treg të zi jo të vogël për mallra kontrabandë, në radhë të parë duhan, bizhuterì, makina të vjedhura dhe telefona celularë. Vendi mbetet në rrezik domethënës nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit të kudogjendur dhe një sistemi ligjor të dobët”, tha ai. /a.y/noa.al/