Transmetuar më 04-10-2017, 17:34

Kryeministri Edi Rama komenton deklaratën e ambasadorit amerikan në vendin tonë Donald Lu, i cili tha se katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale në Shqipëri.

“Falenderoj ambasadorin Lu që u bashkua me mua. Shumë mirë që e tha edhe ambasadori amerikan, ne po punojmë intensivisht. Ndodhi në Elbasan një ngjarje që mori goxha jehonë, e cila shërbeu si katalizator për të rritur intensitetin e propagandës mbi këtë çështje. Shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete për atë çështje, do të shiheni një zinxhir për të goditur elementët kriminalë dhe të inkriminuarit brenda policisë së shtetit. Këta nuk kanë lindur këto 4 vite”, u shpreh Rama.

Deklarata e tij u dha pasditen e sotme nga Fieri, ku po diskutohet buxheti për vitin 2018.

Ai shtoi më tej se do të mbyllet kapitulli i kanabisit ashtu siç është marrë përsipër dhe në fund të muajit tetor do të pritet raporti zyrtar.

“Luftë edhe për të ashtuquajturat familje kriminale” deklaroi Rama.

Ai shtoi se zonat ku funksionojnë "të fortë", janë zona ku është e inkriminuar Policia e Shtetit. /a.y/noa.al

Deklarata e fortë e Lu: 4 klane kontrollojnë krimin në Shqipëri, Shullazi trafik droge nga burgu