Transmetuar më 04-10-2017, 18:22

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi paralajmëron opozitë të fortë, të drejtë dhe aktive të partisë të cilën ajo drejton.

Duke folur pasditen e sotme në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar, ajo tha se zgjedhjet e 25 qershorit provuan manipulim, gjë që solli mazhorancë të pakicës, e cila në segmente të caktuara sipas saj, është e kapur nga krimi.

“Ne kemi një qeverisje të ardhur nga deformimi i votës, paratë e krimit dhe drogës. Sfida e LSI është të jetë opozitë e vërtetë dhe e fortë, për të cilën ka shumë nevojë vendi. Mbetemi forca më europiane, më socialiste dhe social demokrate. Mision i vështirë, por këtë mision të pamundur do e kthejmë të mundur dhe realizueshëm”, u shpreh Kryemadhi.

Ajo shtoi se LSI nuk është në opozitë me rilindjen as me Partisë Socialiste, por me krimin e organizuar që çdo ditë po kap strukturat e Policisë së Shtetit dhe drejtësinë.

“Sot diskutojmë për një sistem drejtësie të kriminalizuar, ku krimi ka kapur polici e drejtësi”, tha kryetarja e LSI.

Ajo shtoi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të përqafojë një manifest të ri politik, duke thënë se “Koha nuk pret për të bashkuar një front të përbashkët për të majtë dhe të djathtë”.

“Ne jemi të hapur dhe nuk kemi asnjë lloj kompleksi për sa i përket bashkëqeverisjes për një front të përbashkët opozitarë”, tha Kryemadhi. /a.y/noa.al