Transmetuar më 04-10-2017, 19:57
Publicitet

Nga sot, 500 pallate në Tiranë kanë një administrim më të mirë, duke vendosur një standard të ri në zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë banorët për mjediset e përbashkëta në komunitet. Bashkia e Tiranës shpërndau 500 certifikatat e para për administratorët e pallateve, të cilët do të shërbejnë si zëri i banorëve në marrëdhënien me Njësitë Administrative dhe Bashkinë e Tiranës. Në ceremoninë e dhënies së certifikatave, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se përmes kësaj nisme jo vetëm që rregullohet bashkëjetesa në komunitet, por njëkohësisht punësohen edhe 500 vetë.

“Nisi si një ëndërr e pamundur dhe sot është realitet. Dua të uroj 500 administratorët që sot marrin certifikatën për të qenë përfaqësuesit e qytetarisë në çdo pallat, shkallë e lagje të qytetit të Tiranës. Në thelb, duhet të pranojmë edhe diçka tjetër: ata janë edhe 500 vetë që punësohen. Por, nuk i ka punësuar shteti apo ndonjë kompani e madhe, në fakt i kanë gjetur punë vetes, kanë bindur të gjithë banorët e pallatit se janë njerëzit më të ftilluar të pallatit të tyre. Në një farë mënyre, sot u urojmë këtyre 500 vetëve punë të mbare dhe suksese në punën e re”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se ky proces do të sjellë një administrim më të mirë të pallateve dhe zgjidhje të problemeve në komunitet, por është edhe një proces punësimi për të gjithë administratorët. Veliaj u shpreh i kënaqur për ecurinë e deritanishme të procesit duke bërë të ditur se në total është bërë e mundur zgjedhja e administratorëve dhe asambleve drejtuese në afro gjysmën e pallateve në Tiranë. “Më vjen mirë që rezultati është akoma më premtues. Ne kemi sot 2425 pallate që kanë krijuar asamblenë, do të thotë që kanë potencialin që në një kohë shumë të shkurtër të kemi 2425 administratorë, jo vetëm më shumë punësime, por praktikisht pothuajse gjysmën, më saktë 49% të Tiranës”, tha ai.

Gjithashtu, ai tha se zgjedhja e administratorëve dhe e asambleve do ndihmojë banorët dhe komunitetet që t’i zgjidhin vetë problemet, pa qenë nevoja të konfiktohen apo të ankohen deri në bashki. “Pas dy vitesh si kryetar bashkie më ka rënë në mënyrë eksponenciale stresi i marrjes me këtë punë vetëm nga fakti se administratorët kanë filluar të amortizojnë një pjesë të madhe të problematikave. Pse? Sepse aty ku është administratori i ka dhënë ai drejtim. Ka njoftuar ai policinë bashkiake, policinë e shtetit apo administratorin e njësisë”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj bëri të ditur se në të gjitha rastet kur banorët nuk do arrijnë dot të zgjedhin administratorin dhe asamblenë, atëherë Bashkia e Tiranës do të caktojë një kompani private që do të administrojë pallatet pa administratorë. Ai shtoi se të gjitha pallatet që nuk kanë mundur ta zgjedhin deri më tani administratorin, kanë 6 muaj kohë për të kryer këtë proces. “Kush nuk e ka zgjedhur administratorin ka 6 muaj kohë. Në momentin që mbaron ky afat, ne do të emërojmë një administrator”, tha ai. Sipas tij, administratori do të jetë një njeri që ka fuqinë e plotë për të administruar jetën në pallat, duke vendosur edhe masa administrative për të gjithë ata që nuk zbatojnë rregullat e bashkëjetesës në komunitet.

“Dua t’ju them që e kemi fuqizuar rolin e administratorit. Administratori i pallatit, pra ju 500 që filloni sot punë, por edhe të tjerët, do të keni mundësi të vini edhe gjoba. Pisanjosit të pallatit do i vëmë një gjobë, patjetër. Si do e mbledhim? Ma lini mua se them që kam eksperiencë si mblidhen gjobat, në daç me përmbarim, në daç te fatura e ujit; por nëse 99% e pallatit nuk bën pis dhe një njeri e ndot duke i lënë plehrat në ashensor, ai sigurisht që do marrë një gjobë. Fuqia që i kemi dhënë administratorit të vërë gjobë, bashkuar me fuqinë e Bashkisë për t’i vjelë ato, është një mënyrë për t’u thënë disa njerëzve që të zbatojnë rregullat në komunitet”, deklaroi Veliaj.

Ai nënvizoi se bashkë me Ministrinë e Brendshme do të bëhet mundur që të zbatohet edhe ligji “Për Policimin në Komunitet”. “Kemi patur disa biseda me Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe bashkë me të kemi menduar të zbatojmë edhe një ligj tjetër, atë të Policimit në Komunitet. Brenda këtij viti, në çdo njësi administrative do jetë edhe një zyrë e komisariatit të policisë, ku inspektori i zonës nga ora 10 deri në orën 14 do të ketë pritje me popullin, ku mund të jenë administratorët e pallateve që sjellin problematika që janë përtej çfarë mund të zgjidhë, mund të jenë çështje të dhunës në familje, konflikte etj. Unë besoj se në një mënyrë eksponenciale kalojmë nga disa komisariate, praktikisht në 24 komisariate në gjithë Tiranën”, u shpreh Veliaj.

Veliaj dha edhe një tjetër lajm të mirë dhe që ka të bëj me fondin e komuniteteve i cili në vitin e ardhshëm do të dhjetëfishohet. “Lajmi tjetër i mirë është fondi i komuniteteve. Ajo që kam vendosur bashkë me kolegët e Bashkisë është që fondi që këtë vit e kishim 200 milionë lekë, vitin tjetër do e dhjetëfishojmë, do e bëjmë 2 miliardë lekë; do të thotë t’u japim mundësi të gjithë administratorëve”, përfundoi ai./a.k/noa.al/