Transmetuar më 05-10-2017, 07:30

Në videon më poshtë shihni pamjet e arrestimit të të dyshuarit që në 9 shtator goditi me një makinë të blinduar, mjetin e nëndrejtorit të policisë së Elbasanit.

Policia e Elbasanit në bashkëpunim me FNSH Tiranë mbrëmjen e së mërkurës, arrestuan autorin e dyshuar si drejtues i mjetit tip “Audi” të blinduar, i cili goditi mjetin e policisë në lagjen “Dyli Haxhire” pranë tregut Agro-Ushqimor

I arrestuari është Enea Bekteshi, 31 vjeç banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit të banesës në të cilën u kap i dyshuari u gjet një sasi lënde narkotike kanabis sativa dhe një mjet i mprehtë, bajonetë.

Ndaj tij Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë më 29 shtator, ka lëshuar urdhër ndalimi pasi dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit tip “Audi” me targa AA 795 EP i dyshuar i blinduar që goditi mjetin e policisë me targa MB 002 AA më datë 18.09.2017 në lagjen “Dyli Haxhire” pranë tregut Agro-Ushqimor.

I riu pasi ka goditur mjetin e policisë mjeti tip “Audi” i dyshuar i blinduar, është futur në ambientet e brendshme të tregut Agro- Ushqimor.

Ndalimi i tij, u bë mbrëmjen e djeshme në Cërrik në banesën e Aleks Pupulekut, kunatit të tij, dhe gjatë kontrollit të banesës të ushtruar nga efektivat e policisë grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi kanabis sativa dhe një bajonetë.

Po ashtu uniformat blu vunë në pranga dhe Aleks Pupulekut, 40 vjeç banues në Cërrik.

Në ngarkim të Bekteshit, materialet i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë”, “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërkohë ndaj Pupulekut materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. /a.y/noa.al