Transmetuar më 05-10-2017, 09:37
Publicitet

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i kritikuar në periudhën kur ishte ministër jo vetëm nga opozita por edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, tashmë ka një profil disi më të qetë.

Ditën e djeshme Tahiri reagoi ashpër lidhur me videon shokuese, ku një djalë 14-vjeçar nga Kuçova masakron me sëpatë një qen deri sa ngordh, ndërkohë që dy shokët e tij e filmojnë.

Tahiri thotë se një racë e re dhunuesish po rritet dhe se sot bëhet me një qen, e nesër me një shok a familjar, e kështu pa mbarim.

“Thuajse 1 vit më parë propozova një projektligj për mbrojtjen e kafshëve nga dhuna, por Parlamenti nuk dëgjon. Më mbetet ta risjell përsëri në vëmendje, me shpresën se të gjithë ata që nga kjo e sotmja janë neveritur e frikësohen nga e ardhmja, të gjejnë kohë të bëhen bashkë e të detyrojnë parlamentin të marrë në shqyrtim e të miratojë një ligj për të ndalur përfundimisht masakrën ndaj kafshëve”, shkruan Tahiri në Facebook.

Por ky reagim i tij, ka gjetur mbështetjen e nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, i cili thotë se i del në krahë Saimir Tahirit.

Duke komentuar në postimin e ish-ministrit, Luan Rama shkruan, “Akt makabër, i shëmtuar deri në neveri, parathënie e një krimineli që po vjen! Duke u solidarizuar me shqetësimin tënd qytetar, më ke në krah për projektligjin për mbrojtjen e kafshëve!”. /a.y/noa.al 

Loading...